Për 9 orë, 4 përfaqësues politikë së bashku me 3 ambasadorë, u ngujuan në bisedime për të arritur marrëveshje për reformën zgjedhore. Por sërish nuk pati asgjë konkrete, ndërsa është caktuar që nesër të ketë një takim tjetër.
Deputetja Rudina Hajdari, e ftuar në emisionin “Opinion”, është shprehur se negociatat mes palëve janë ende të hapura.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për çfarë nuk bien dakord palët, ajo tha se diskutimet kanë ngecur tek administrata zgjedhore.
“Jemi në mes të një negociate. Administratën zgjedhore e kishin si çështjen më kyç në këtë gjë. Mazhoranca qëndron për depolizitimin e plotë, ndërkohë PD e do të pjesshëm, palët nuk bien dakord si do ta zgjidhin këtë çështje. Qeveria kujdestare ka rënë. Identifikimi biometrik do të bëhet në të gjithë vendin. Kanë rënë dakord.
Administrata zgjedhore është një çështje e rëndësishme dhe palët nuk luajnë nga vendet e tyre. Ndërkombëtarët janë shtytës. Nuk të toleron njeri aty brenda të bësh deklarata politike”.
Sa i përket ndryshimit të sistemit politik, Rudina Hajdari thotë se asnjë nga partitë PS-PD-LSI nuk është e interesuar për ta ndryshuar.
“Sa i përket sistemit, insistova deri në fund të diskutonim për këtë çështje. Këta nuk e duan ndryshimin e sistemit. Në tryezë mundohen ta shmangin. Sistemin zgjedhor mundohen ta shmangin. Jam munduar që në çdo pikë të gjej pikë konsensusi me ta, por nuk duan. PS thotë e diskutojmë në fazë të dytë, PD nuk do, LSI nuk është shprehur fare. Jam munduar që t’i bind me argumente”.