Kryesore Abuzimi seksual me 15-vjeçaren, reagon ministrja e Arsimit: Jam zemërthyer

Abuzimi seksual me 15-vjeçaren, reagon ministrja e Arsimit: Jam zemërthyer

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas rastit të abuzimit të 15-vjeçares nga një 65-vjeçar.

“Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë”, shkruan ajo.

Sipas ministres për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë masa. Përveç kësaj, edhe organet e drejtësisë sipas Shahinit kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara.

“Pra, NUK ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë. Por, qartazi ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët”, shkruan ajo.

Shahini thotë se abuzimi seksual dhe ngacmimet nuk zgjidhen vetëm me Kod Penal, por duhet të ndryshojë gjithë kultura dhe mënyra si shoqëria trajton gratë e vajzat. Madje, ministrja thotë se edhe mediat luajnë një rol të rëndësishëm.

“Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”, tha ministrja.