Bota Trump zbut kërcënimet për dërgim trupash: Nuk u futa në bunker, thjesht...

Trump zbut kërcënimet për dërgim trupash: Nuk u futa në bunker, thjesht inspektova

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportimet që thonin se ai ishte zhvendosur në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë të premten gjatë protestave anti-raciste.

Ai tha për Fox News se kishte shkuar poshtë për një periudhë të shkurtër kohe për një inspektim.

Pothuajse në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka protesta pas vdekjes së George Floyd. Demonstrata ka pasur edhe përpara Shtëpisë së Bardhë.

Disa prej këtyre tubimeve kanë qenë shumë të dhunshme, megjithatë Sekretari i Mbrojtjes ka thënë se nuk do të vendosë forcat aktive të ushtrisë.

Trupat aktive largohen nga kryeqyteti

Trupat me detyrë aktive të sjella në Uashington për të ndihmuar nëse do të ishte e nevojshme në kryeqytetin amerikan, kanë filluar të kthehen në shtëpi, ndërkohë që protestat janë bërë më paqësore, thanë zyrtarë të lartë të mbrojtjes për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Zyrtarët thanë se rreth 200 ushtarë të batalionit të 82-të të reagimit të shpejtë janë të parët që po largohen.

Pjesa tjetër e trupave me detyrë aktive, të cilët janë mbajtur në bazat ushtarake jashtë qytetit, gjithashtu do të tërhiqen në ditët në vijim nëse rrethanat e lejojnë, thanë zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti. Trupat me detyrë aktive qëndruan në dispozicion, por nuk u përdorën në përgjigje të protestave.

PRESIDENTI TRUMP ZBUT KËRCËNIMET PËR DËRGIM TRUPASH

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump duket se po tërhiqet nga kërcënimet e tij në adresë të shteteve se do të dërgonte ushtrinë për të shuar protestat,

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se përgjigja ndaj demonstratave në të gjithë vendin tregon se qeveritë lokale duhet të jenë në gjendje ta rivendosin vetë rendin.

Ndryshimi vjen ndërsa protestat në Uashington dhe qytete të tjera vazhduan relativisht të qeta të martën mbrëma, një kontrast i dukshëm me përplasjet e ashpra jashtë Shtëpisë së Bardhë natën e së hënës. Presidenti synonte ta bënte përdorimin e forcës së ashpër në kryeqytetin Uashington një shembull për pjesën tjetër të vendit, tha të martën një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.