Kryesore Ngërçi i “Zgjedhores”, Rama zbulon ku kanë ngecur bisedimet

Ngërçi i “Zgjedhores”, Rama zbulon ku kanë ngecur bisedimet

Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur sot në Kuvend për çështjen e nxehtë të këtyre ditëve të fundit, atë të Reformës Zgjedhore.

Kryeministri Rama tha se shumica mund ta kishte miratuar e vetme reformën zgjedhore, pa opozitën jashtë parlamentare.

“Pavarësisht se ne mund ta bënim këtë proces në mënyrë të njëanshme, pavarësisht se mund të gjenim votat pa pritur asnjë lloj autorizimi nga ata që braktisën parlamentin, ne nuk e bëmë. Më shumë s enjë herë i shtymë afatet që i kishim vënë vetes në funksion të të bërit të gjësë që duhet. Në asnjë vend tjetër nuk bëhen me konsensus reformat. Kush ka votat ka të drejtën të bëjë reformën që sheh më të arsyeshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk ishte ai që kishte kërkuar praninë e ambasadorëve në tryezën e bisedimeve, por i falënderoi ata. “U jam mirënjohës ambasadorëve që dolën nga mandati i tyre. Por mbetet me vlerë fakti që diskutimet bëhen me dëshmitarë. Korniza e përcaktuar nga rekomandimet (e BE-së) është aty. Ju e dini të gjithë që problemi kryesor dhe arsyeja kryesore e sherreve janë komisionet, kush identifikon dhe kush numëron. Që kur kam lexuar raportet e ODIHR-it ka vetëm një fjali, “depolitizim i komisioneve”. Hamas dhe Fatah në Palestinë i organizojnë komisionet me mësues, ndërsa ne jo. Edhe sot që flasim, kjo duket mision i pamundur”.

Kryeministri foli edhe për rolin e teknologjisë në zgjedhje, një pikë të debatuar gjatë mbledhjeve të Këshillit Politik. “Kam thënë gjithmonë që përdorimi i elektronikës kërkon kohë. ODIHR nuk ka qenë entuziast për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, gjithmonë e ka parë me mosbesim dhe nuk e inkurajon si një operacion transformues. Vende si Gjermania e konsiderojnë antikushtetuese kërkesën për të përfshirë teknologjinë në zgjedhje. ODIHR porosit në mënyrë të prere që teknologjia të futet me faza dhe jo përnjëherë. Synimi im ka qenë që t’i hiqnim alibi opozitës dhe t’i jepnim mundësi atyre njerëzve që ta kishin në dispozicion”, tha Rama.

“Futja e teknologjisë në një sistem offline, pra jo në rrjet, për të mos lejuar hakerat që mund të ndikojnë apo shkatërrojnë procesin, është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira jo të vogla në raport me nevojat që kemi”.

Në përfundim të fjalës, Rama tha se nuk do ta japë mendimin e tij pasi zgjedh që të presë për të parë se çfarë do të vendosin ata “që kanë topin”.