Futbollisti shqiptar i Osijek, Eros Grezda, ka mësuar sot masën e ndëshkimit për sulmin fizik ndaj Antonio Čolak, pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, të luajtur ndaj Rijekës në Rujevica.
Komisioni disiplinor i HNS vendosi të ndëshkojë Grezdën me 4 ndeshje pezullim. Sipas mediave kroate, ky penalizim është shumë i butë, duke marrë parasysh që, sipas rregullave disiplinore, mund të dënohej edhe me 6 ndeshje për një vepër të tillë. Përkatësisht, këtë parashikon neni 57, të cilit iu referua në një deklaratë të shkurtër Komisioni Disiplinor:
“Komisioni Disiplinor i Federatës Kroate të Futbollit zhvilloi sot një seancë, në të cilën, përveç të tjerave, mori një vendim për dënimin e lojtarit të NK Osijek, Eros Grezda. Komisioni disiplinor vendosi ta pezullojë atë me 4 ndeshje kampionati dhe kupe, sepse pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë mes Rijekës dhe Osijekut sulmoi fizikisht lojtarin kundërshtar, Antonio Mirko Čolak, jashtë fushës së lojës, në stadiumin “HNK Rijeka”, duke kryer kështu shkelje sipas nenit 57 të Rregullores së Disiplinës të HNS. Përmes klubit, ky vendim iu dorëzua edhe lojtarit”.