Serbia ka pranuar të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, konfirmuan për gazetarët, burime diplomatike në Bruksel, raporton korrespondenti i Radios Evropa e Lirë. Po ashtu, është thënë se autoritetet e Beogradit e kanë dhënë pëlqimin e tyre për të ndalur fushatën në mënyrë që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Si një tregues i vullnetit të mirë për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, Beogradi ka rënë dakord të mos vazhdojë me këtë fushatë”, konfirmuan burimet nga Brukseli.
Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut theksoi se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”. “Ne kemi nevojë për të ndërtuar një atmosferë pozitive, dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin,” tha ai. Numri i vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, është i panjohur. Sidoqoftë, zyrtarët serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç, nuk e kanë fshehur asnjëherë se ata çuan diplomacinë e tyre në atë drejtim. Serbia gjithashtu ka mbrojtur hapur pozicionet kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të tilla si Interpol dhe UNESCO. Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut. Prandaj ata besojnë se vendosja e masave të reciprocitetit nga qeveria e mëparshme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti “nuk i përket kësaj fryme”.
Zyrtarët e Brukselit presin që qeveria e re e Kosovës të marrë të gjitha masat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut, që nënkupton heqjen e këtyre masave. Serbia ka thënë se nuk do të kthehet në dialog pa heqjen e masave të reciprocitetit. Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, para votimit të kabinetit të tij qeveritar nga Kuvendi i Kosovës, ka deklaruar se masat e reciprocitetit e vënë në kurth Kosovën. “Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook
Të enjten, zyrtarët e Brukselit kanë thënë se presin që qeveria e re e Kosovës të marrë të gjitha masat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut që së shpejti duhet të vazhdojë në Bruksel, që nënkupton heqjen e këtyre masave. Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia. (rel)