Dy liderët e partive më të mëdha politike në Shqipëri reaguan në rrjetet sociale pasi mes palëve u arrit një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se sot është hedhur një hap përpara për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve. Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakordësisë për administrimin zgjedhor”, tha Basha.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter tha se kjo marrëveshje u arrit pas 3 vjetësh marshim dhe 3 netësh ngujim të opozitës. Për Ramën e rëndësishme është që Basha të hyjë në zgjedhje.
“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata. Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve👍 BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkruan Rama.