Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se deri në vitin 2029 do të hiqet TVSH për biznesin e vogël. Për ministren e Financave, ky element do të shihet në detaje në momentin që paketa fiskale, pjesë e të cilës ai është, të çohet për konsultim publik. Në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Denaj tha nuk mjafton një diskutim për ta materializuar një nismë të tillë.
“Paketat fiskale lançohen në tremujorin e tretë të vitit. Këtë vit ne duam të lançojmë paketën fiskale me një synim brenda një strategjie afatmesme. Kjo e fundit synon ndryshime më pak të shpeshta të paketave fiskale dhe si rezultat i një rekomandimi nga bizneset dhe FMN përfshirja në këtë paketë të politikës fiskale do të kishte atë që tha kryeministri por edhe shumë elementë të tjerë, të cilët unë do të kërkoja ti shihnim me detaje në kohën që jemi gati për ta cuar për diskutim publik. Paketat fiskale nuk materializohen me një diskutim. Ekipi teknik i Ministrisë së Financave po konkludon edhe elementë të tjerë”, tha ajo.
Sa i takon HEC-it të Skavicës, Denaj tha se fondet për të gjenden përmes rishikimit të buxhetit. “Mbështetja buxhetore nuk do t’i mungojë këtij projekti. Është një projekt prioritar dhe ka rol në sektorin e energjisë dhe sektorin e punësimit. Mbështetja buxhetore do të gjendet përmes hapësirave të borxhit që do të krijohen duke shikuar buxhetet”, tha ajo.
Denaj tha se në korrik do të prezantohet projektbuxheti i ri.
“Ne duam të kapim dritaren më oportune për të arritur një optimizim të normës së interesit. Një pjesë është për kthimin e një pjese të mëparshme eurobondi, pjesa tjetër për të mbështetur nevojat për likuiditet, që do të vijë si rezultat i projekteve të rishikuara që në korrik do të anoncohen në një projektbuxhet të ri. Mund të ketë nevojë të rishikojmë edhe shpenzime në ngritje që do të shkojnë në përqasje me planin e rimëkëmbjes”, tha ajo.