Ndërsa liberalët e krishterë u zemëruan kur Presidenti Trump bëri një fotografi me biblën në dorë para një kishe pranë Shtëpisë së Bardhë pas një fjalimi të zjarrtë, shumë të krishterë konservatorë që përbëjnë edhe bërthamën elektorale të tij, e vlerësuan këtë dalje si një fitore kundër shkeljes së ligjit. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara tregon në materialin në vazhdim nëse Presidenti Trump ende mund të shpresojë nga vota e tyre në zgjedhjet e nëntorit.
Ishte një ecje vetëm pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë për tek kisha St. Johns, por imazhet e Presidentit Trump që kalon pranë murit me mbishkrime për të pozuar për një foto me biblën janë ikonike.
“Vajta atje sepse dikush sugjeroi se ishte ide e mirë. Edhe unë mendova se ishte ide e mirë. Nuk e di nëse kishte njerëz përqark apo jo”, tha Presidenti Trump në një intervistë.
Vizita e Presidentit Trump dhe përdorimi i forcës nga policia për të shpërndarë demonstruesit paqësore jashtë zonës, u dënua me shpejtësi nga peshkopja episkopale Mariann Edgar Budde e Uashingtonit.
“Ishte abuzim i mjeteve shpirtërore dhe simboleve të traditës sonë dhe hapësirës tonë të shenjtë.”
Para vizitës së Presidentit Trump, një zjarr i vogël i ishte vënë bodrumit të kishës St. John duke shkaktuar dëme të vogla. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të gjetur autorin.
Evangjelistët, bërthama elektorale e Presidentit Trump, e mbështetën veprimin e tij. Robert Jeffress i “Kishës së Parë Baptiste në Dallas të Teksasit:
“Presidenti kishte të gjitha të drejtat të qëndronte para asaj kishe në shenjë solidariteti, jo vetëm me atë shtëpi adhurimi por me të gjitha shtëpitë e adhurimit në mbarë vendin. Duke ripërtëritur vendosmërinë e tij për të mbrojtur kishat nga ata që do të përpiqeshin t’i shkatërronin ato.”
Jo të gjithë evangjelistët mbështesin qasjen e presidentit për “rendin dhe ligjin”. Mbështetësi i presidentit, evangjelisti i njohur Pat Robertson përmes një dalje të rrallë e qortoi veprimin duke thënë se momenti kërkon thirrje për dhembshuri dhe jo kërcënime për forcë ushtarake.
Sipas një ankete nga Instituti Publik për Kërkime Fetare, mbështetja për Presidentin Trump mes evangjelistëve të bardhë kishte rënë në 62 përqind në fund të majit, krahasuar me 80 përqind që ishte në mars.
Por edhe mes pandemisë dhe trazirave sociale, vlerësimi i përgjithshëm për Presidentin Trump ka rënë vetëm pak.
Ai gëzon një nivel të lartë mbështetje mes republikanëve, me përjashtim të dy grupeve, të moshuarve të shqetësuar nga ndikimi i pandemisë tek kjo grupmoshë dhe grave në zonat jashtë qyteteve. Whit Ayres merret me sondazhet republikane.
“Veçanërisht gratë që jetojnë në periferi ka gjasa të ndryshojnë mendje nga reagimi ndaj disa trazirave sociale. Por bërthama e mbështetjes së tij, njerëzit që tashmë e mbështesin fuqishëm, të krishterët evangjelistë, burrat në zonat rurale, ata nuk do të ndryshojnë qëndrim.”
Në vitin 2016, 81 përqind e evangjelistëve të bardhë votuan për zotin Trump. Nga ardhja në pushtet, Presidenti ka siguruar një lidhje të fuqishme me këtë grup duke përqafuar përparësitë e tyre politike.
“Foshnjet e palindura kurrë nuk kanë patur një mbrojtës më të fortë në Shtëpinë e Bardhë.”
Presidenti duket se do të llogarisë mbështetjen e tyre përsëri në zgjedhjet e nëntorit. Ralph Reed është me Koalicionin për Besimin dhe Lirinë.
“Ai është për lirinë e besimit, pro-jetës, pro rrymës konstitucionaliste kur flitet për emërimet në gjykata dhe pro-Izraelit. Mendoj se vota për të do të jetë më e lartë se ishte në vitin 2016.”
Megjithatë, në këtë kohë pandemie, shumë gjëra mund të ndodhin në këto pesë muaj para zgjedhjeve.
Sipas “Institutit Kërkimor Pew”, 77 përqind e atyre që identifikohen ose anojnë nga Partia Republikane, thonë se presidenti po bën një punë të shkëlqyer ose të mirë në trajtimin e pandemisë, krahasuar me marsin kur mbështetja ishte 83 përqind.
Gjithashtu këtë javë, ndërsa vazhduan protestat mbi vdekjen e një afrikano-amerikani në duart e policisë, Presidenti Trump dhe zonja e parë vizituan Faltoren Kombëtare Shën Gjon Pali II. Shtëpia e Bardhë e quajti vizitën “moment kujtese” pa ofruar detaje të tjera se për çfarë bëhej fjalë./VOA