1340 – Holandë; Themelohet qyteti Rotterdam. Ky vendbanim i quajtur ‘Rotte’ (baltë, kënetë, moçal) daton të paktën që prej vitit 900. Rreth vitit 1150, përmbytje të shumta çuan në ndërtimin e pritave mbrojtëse, duke përfshirë një digë “Dam” në Rotte – nga rrjedh emri ‘Rotter-Dam’.
1557 – Anglia i shpall luftë Francës. Mbretëresha Mary e Anglisë tërhoqi vendin në luftë, në aleancë me Spanjën (mbreti i Filip i Spanjës ishte burri i saj). Në këtë luftë, Anglia humbi zotërimin e Kalais në Francë. ‘Calais’ kishte qenë nën sundimin anglez për më shumë se 200 vjet dhe Mary u fajësua për humbjen. Kjo ishte një goditje e madhe morale edhe për anglezët. Më vonë, kur mbretëresha Mary vdiq dhe vendin e saj u zuri e motra, Elizabeth, mosmarrëveshjet fetare dhe politike do t’i bënin Anglinë dhe Spanjën armike të ashpra të njëra-tjetrës.
1780 – Trazira anti-katolike në Londër dhe qindra të vrarë. Shkaku ishte projekt-ligji për përfshirjen e katolikëve në ushtri; Anglia ishte në luftë kundër Amerikës, Francës, Spanjës dhe i duheshin ushtarë – katolikëve angleze iu ofrua të shërbenin pa qenë të detyruar të mohonin besimin e tyre. Kur legjislacioni u miratua, turma të zemëruara dolën nëpër rrugë, duke plaçkitur, djegur kisha, shtëpi e ndërtesa, prona të katolikëve. Qeverisë iu desh mbi një javë për të shuar trazirat.
1832 – Kolera arrin në Quebek, Kanada – e sjellë nga emigrantët irlandezë – dhe shkakton vdekjen e 6 mijë njerëzve.
1864 – SHBA; Abraham Linkoln ri-emërohet për president nga Partia Republikane – në mes të Luftës Civile, Shtetet e Bashkuara po zhvillonin fushatë presidenciale – qyteti Baltimore, Maryland, ishte në qendër të vëmendjes si vend-ndodhja e Kuvendit të Partisë Republikane. Me këtë ri-emërim, Linkolnit i jepej mundësia për të përfunduar punën që kishte filluar për ruajtjen e bashkimit të vendit. Në ditën pas Kuvendit, në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, Abraham Linkolni priti disa delegatë që kishin ardhur për ta uruar. Presidenti, njeriu që gjithmonë kishte një anekdotë apo shaka për të treguar, u tha vizitorëve: “Nuk e lejoj veten të arrijë në përfundimin se u ri-emërova pasi jam njeriu më i mirë në Amerikë, por mendoj se jam si ai fermeri i një përralle të vjetër holandeze, i cili e këshilloi shokun e tij se ‘nuk është mirë t’i ndërrosh kuajt kur je duke kaluar lumin’ – kështu edhe presidenti nuk duhej ndërruar në mes të luftës.
1905 – Norvegjia prish bashkimin me Suedinë, pas disa muajsh tensioni dhe frike nga një luftë e mundshme mes dy vendeve. Bashkimi ishte krijuar më 1814.
1929 – Papa me shtet; Qyteti i Vatikanit bëhet shtet sovran. Territori i tij përbëhet nga një enklavë brenda qytetit të Romës. Vatikani ka një sipërfaqe prej rreth 44 hektarësh, dhe një popullsi prej rreth 840 banorësh Kjo e bën Vatikanin shtetin më të vogël (për nga territori dhe popullsia) i njohur ndërkombëtarisht si i pavarur.
1965 – Korporata Sony nxjerr në treg pajisjet e regjistrimit video, me çmim 995 dollarë. Më vonë regjistrimi video-kasetat u zëvendësua gjerësisht nga formate kasetash digjitale. Pas kësaj, VTR dhe VCR, u zëvendësuan edhe nga mediat dixhitale, të tilla si DVD dhe më vonë disqe optike Blu-ray.