Presidenti Ilir Meta ishte këtë të diel në Kishën e Shën Mhillit në Laç ku mori pjesë në meshën e shenjtë. Kreu i shtetit vlerësoi famullinë me dekoratën “Nënë Tereza”, ndërkohë që pas përfundimit të ceremonisë ai pati një prononcim për mediat.
Meta u pyet rreth lajmit që u publikua disa ditë më parë në mediat italiane, referuar një hetimi të antimafias së Romës ku i implikuar rezulton edhe këshilltari i tij, Ilir Kulla. Sipas tyre, lajmi që ka shkruajtur “Pianeta Italia” se 1300 kontenierë me plehra urbane e industriale u zhdukën në portin e Durrësit ishte i rremë dhe qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë Rama, ndërkohë që fushata i atribuohej ish-senatorit Srgio de Gregorio dhe Kullës.
Kreu i shtetit tha se nuk do të merret me lajme të rreme që duan të heqin vëmendjen nga problemet thelbësore në vend.
“Nuk kam ndërmend të merrem me ‘fake news’ dhe as të mediave italiane dhe shqiptare, por kam çështje më të rëndësishme për t’u marrë se lajme që kërkojnë heqin vëmendjen nga problemet themelore të Shqipërisë“, tha Meta.
Kreu i shtetit komentoi nga Laçi edhe marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
“Është hedhur një hap shumë i rëndësishëm përpara. E kam parasysh se cila do të ishte pasoja nëse nuk do të kishim pasur një marrëveshje konsensuale. Ndoshta ka shumë qytetar që nuk janë shumë të lumtur se kanë pritur ndryshime më thelbësore dhe të sistemit, por fakti që kemi një marrëveshje është shumë pozitiv, por të kishim parasysh se cilat do të ishin pasojat nëse s’do kishte një konsensus, që nga mos çelja e negociatave të BE. Është e tepër për këtë komunitet me kaq shumë probleme sociale për ta përballuar këtë, duhet vazhduar me të gjitha hapat e tjerë që të garantojnë momentin e zbatimit, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përshpejtimin e çeljes së negociatave. Të mendohet më shumë për familjet në çadra, dhe këtë duhet ta bëjnë vendimmarrësit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar të varfrit është demokracia se është e qartë që niveli i varësisë është asimetrike me demokracinë”, tha Meta.
Për lajmin e rremë me mbetjet, disa ditë më parë reagoi vetë këshilltari i Presidentit Meta, Ilir Kulla.
Ai pranoi njohjen me ish-Kryetarin e Komisionit te Mbrojtjes të Senatit italian Sergio De Gregorio, ashtu si shumë politikanë të tjerë italiane.
Por sipas tij, lobimi dhe pagesa e pretenduar është një shpifje dhe asgjë më tepër.