Bota Tension i lartë mes Trump dhe krerëve të ushtrisë

Tension i lartë mes Trump dhe krerëve të ushtrisë

Media të njohura ndërkombëtare po përsërisin këto ditë se presidenti amerikan Donald Trump është në kurs përplasjeje me Pentagonin për shkak të vendimit të tij për të angazhuar trupa të ushtrisë kundër protestuesve që së fundmi kanë mbushur rrugët e Amerikës. Në një analizë të vetën Associated Press shkruan se marrëdhëniet e kreut të Shtëpisë së Bardhë po arrijnë pikën e thyerjes me Pentagonin.

Sipas kësaj medieje përplasjet mes të dy institucioneve kanë arritur në pikën saqë mund të provokojë dorëheqje të nivelit të lartë në ushtri për shkak se përfshirja e trupave federale në rrugë do të dëmtonte imazhin.

Shqetësimi është rritur së fundmi për faktin se presidenti nuk po do të njohë kufizime të pushtetit të tij duke folur për pushtet të pakufizuar të ushtrisë edhe kundër qytetarëve amerikanë.

“Liderët ushtarakë kanë një optikë shumë më të ndryshme. ata besojnë se trupat aktive, të stërvitur të ndjekin dhe asgjësojnë armikun duhet të përdoren në zbatim të ligjit vetëm në rastet më ekstreme të emergjencës, si p.sh një përpjekje për rebelim. Ky kufi ekziston, mendojnë ata, për të ruajtur besimin e publikut”, shkruan AP.

Edhe sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, i diplomuar në Uest Point që ka shërbyer edhe vetë 10 vjet në ushtri ka dalë kundër përdorimit të trupave ushtarake kundër protestuesve. Në momentin që Trump kërkoi 10 000 trupa në Uashington, Esper bëri thirrje që Garda Kombëtare – një forcë ushtarake e krijuar si pjesë e Milicisë së Organizuar të SHBA-ve dhe nën kontrollin e dyfishtë të shteteve dhe qeverisë federale – të shtojë trupat për ruajtjen e ligjit.

Në një dalje për mediat, Esper është shfaqur i nervozuar dhe i vendosur në oponencën ndaj vullnetit të presidentit duke deklaruar hapur se ai nuk e mbështet zbatimin e dispozitave të Aktit të Rebelimit që parashikon angazhimin e trupave ushtarake.