Kadastra ka shpallur nisjen e procesit të regjistrimit të pronave në 8 zona të bregdetit të Jugut. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Kadastrës, Artan Lame, i cili në një deklaratë për mediat tha se nga ky proces do të përfitojnë rreth 8 mijë banorë të këtyre zonave.
Procesi i regjistrimit të pronave në Jug të vendit do të mbikëqyret nga ekspertët e zyrës së Tiranës, me qëllim për të shmangur konfliktet e interesit por edhe për të mos përfshirë Kadastrën e Vlorës për shkak të situatës problematike ku ndodhet, pasi ka ndërruar disa drejtorë gjatë muajve të fundit.
“I premtoj të gjithë banorëve të këtyre zonave se kësaj radhe shteti do ta përfundojë këtë proces. Procesi i regjistrimit do të monitorohet nga ekipet tona të dërguara nga Tirana. E bëjmë këtë për shkak të shmangies së konfliktit të interesit”, u shpreh kreu i Kadastrës.
Lame tha se gjatë punës së tyre për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jugut, Kadastra është ndeshur me akte të mbivendosura disa herë, me falsifikim e manipulim dokumentacioni.
Kreu i Kadastrës kërkoi nga banorët besim dhe bashkëpunim, si dhe theksoi se procesi i regjistrimit do të zgjasë disa muaj.