Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror do të lejohen të përdorin identitet të dyfishtë me qëllim zbulimin e aktiviteteve terroriste dhe trafiqet e tjera të lidhura me sigurinë kombëtare.
Në projektligjin e paraqitur në Kuvend për statusin e punonjësit të shërbimit, thuhet se agjentët e SHISH duhet të infiltrohen në këto organizata kriminale për të bërë të mundur zbulueshmërinë e tyre dhe për të garantuar sigurinë, në mënyrë të përkohshme, mund të përdorin identitet tjetër.
Në projektligjin e paraqitur, thuhet se edhe mentorët që do të përgatisin punonjësit e rinj do të përfitojnë pagesë, si motivim duke qenë se ky profesion nuk mund të vetë-mësohet.
Drafti gjithashtu kërkon të rregullojë edhe problematikat e transferimeve jashtë vendbanimeve, duke u garantuar punonjësve rimbursim të plotë të shpenzimeve të tij dhe të familjes, kompensim për qiranë e banesës dhe për udhëtimet.
Sipas relacionit të projektligjit, kjo do të ulë numrin e punonjësve që japin dorëheqjen për shkak të shërbimit jashtë vendbanimit të tyre dhe do t’i motivojë ata për të kryer detyrën.
Për kursantët që duan të futen në Shërbimin Informativ do të ketë edhe detyrime. Nëse kursanti nuk paraqitet në detyrë pas emërimit dhe kërkon që të largohet nga shërbimi, atëherë ai detyrohet të paguajë në mënyrë të plotë pagën dhe shpenzimet e bëra për trajnimin e tij.
Projektligji rregullon edhe daljen në pension të punonjësve, që ndodh kur ata arrijnë moshën, 42 vjeç për gratë dhe 47 vjeç për burrat si dhe kur plotësojnë vitet e shërbimit, 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat. Për vitin 2020 janë planifikuar të emërohen jashtë vendbanimit 27 kursantë dhe kjo do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 14 milionë lekë të reja.