Qeveria shqiptare deklaron tërheqjen nga një prej koncesioneve të rëndësishme të parashikuara për këtë vit, për aksin Thumanë-Kashar.
Në daljen e parë për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nuk pranoi që kjo tërheqje të ketë lidhje me çështje të tjera përveçse me faktin se fondet e parashikuara për këtë koncesion të shkojnë si investim për studentët, në kuadër të Paktit për Universitetin.
Balluku tha se për këtë aks rrugor do të ketë një projekt alternativ ndërtimi.
“Ky është komunikimi ynë i parë zyrtar për shkak të volumit të punës ne do të takohemi më shpesh. Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar.
Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike. Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati.
Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, ku në fazën e parë parashikohet ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa dhe në fazën e dytë ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë.
Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar-Rrogozhinë t’i shtohet edhe Aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë nga njëra anë, nga Veriu dhe qoftë aksesin më të shpejtë nga Veriu drejt Jugut gjatë sezonit turistik.
Pra, si përfundim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tërhiqet nga PPP për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar dhe fondi i parashikuar i vihet në dispozicion nga qeveria ‘Paktit për Universitetin.”