Kryesore Nga predha antitank, te snajperi: Ardian Çapja i shpëtoi 3 atentateve në...

Nga predha antitank, te snajperi: Ardian Çapja i shpëtoi 3 atentateve në 5 vite

Atentati i së hënës ndaj Ardian Çapjas në Elbasan ishte i treti në radhën e atentateve kundër tij gjatë 5 viteve të fundit.

Përpjekja e parë për eliminimin fizik të anëtarit të familjes së dyshuar për lidhje me botën e krimit, u shënua në gusht 2017.

Banesa e tij u qëllua me një predhë antitank, e cila nuk shpërtheu duke mos e vënë në rrezik jetët e tij. Atentati tjetër ndodhi brenda të njëjtit vit. Disa muaj më vonë, ai ishte para banesës kur ndaj tij u hap zjarr me breshëri automatike. Ardian Capja mori plagë të lehtë.

Autorët qëlluan nga një mjet në lëvizje, që për maskim kishte targa të falsifikuara dhe i ngjashëm me mjetin e një fqinjit të tij.

Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapjas, i ekzekutuar në vitin 2005, ngjarje që shënoi fillesën e një kalvari përplasjesh ndër vite, të shoqëruara me atentate, viktima dhe ngjarje kriminale të mbetura pa autor.

Si ndodhi atentati sot

Një grup prej 5 personash dyshohet se u futen në lagje dhe qëlluan drejt Ardian Çapjas me snajper dhe armë të tjera.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e ngjarjes. Dy persona dyshohet se kanë qëlluar me armë, një tjetër ka qenë në drejtim të makinës dhe dy të tjerë janë pozicionuar për të ruajtur zonën, nga frika e ndonjë kundërpërgjigje me armë.

Një nga plumbat e ka kapur Çapjan në shpatull. Kur është rrëzuar ai ka marrë edhe dëmtime në kokë.

Por dyshohet se plumbi ka ardhur nga kodra përballë shtëpisë së tij dhe jo nga personat që ishin futur në lagje.

Pak minuta pas atentatit, një makine tip Volksvagen u gjet e djegur në Fushë Mbret, në afërsi të Metalurgjikut. Policia thotë se ajo është makina e atentatorëve.

Një Snajper me numër serie të fshirë u gjet në makinë. Ajo ishte e mbushur edhe me municione. Shpërthimi i tyre teksa makina kishte marrë flakë, plagosi në këmbë zjarrfikësin Dashamir Muhaxhiri, 38 vjeç, i cili ndërhyri të shuante zjarrin.

Autorët, pasi kanë lënë mjetin e përdorur në atentat, kanë marrë një makinë tjetër për t’u larguar drejt Peqinit.

Ardian Çapja ka shkuar fillimisht në spitalin e Elbasanit, në orën 09:37. Familjarët e tij u thanë mjekëve se ai kishte rënë nga shkallët, një version i pabesueshëm, që vuri në alarm policinë.

Kur gjendja e tij u përkeqësua, Çapja u nis drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Për ngjarjen e mëngjesit policia ka shoqëruar 12 persona. Pista kryesore e hetimeve mbeten konfliktet e vjetra mes grupeve kriminale në Elbasan.