Shëndet Studimi: Masat bllokuese parandaluan miliona vdekje nga COVID-19

Studimi: Masat bllokuese parandaluan miliona vdekje nga COVID-19

Vendimet për izolime në të gjithë botën kanë parandaluar me miliona vdekje si pasojë e koronavirusit sipas disa studime të reja të botuara të hënën.

Sipas një studimi të Kolegjit Mbretëror të Londrës, rreth 3 milionë vdekje u shmangën në njëmbëdhjetë vende si në Austri, Belgjikë, Britani, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Norvegji, Spanjë, Suedi dhe Zvicër, për shkak të masave bllokuese përfshirë mbylljen e bizneseve e shkollave.

Sipas gjetjeve të një studimi tjetër të kryer në Shtetet e Bashkuara dhe botuar së bashku me studimin britanik të hënën, rreth 530 milionë raste personash të infektuar me COVID-19 u parandaluan apo infektimi i tyre u shty në kohë, për shkak të politikave kufizuese të zbatuara në Kinë, Korenë e Jugut, Itali, Iran, Francë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë të dielën senatori republikan Rick Scott akuzoi Kinën se po përpiqet të sabotojë përpjekjet e SHBA-së për zhvillimin e një vaksine për të luftuar koronavirusin.

“Informacionet janë të komunitetit tonë të zbulimit. Unë jam anëtar i komisionit të Forcave të Armatosura kështu që qartësisht ka gjëra të cilat nuk mund t’i diskutoj. Ka prova se ata janë përpjekur ose ta sabotojnë ose ta ngadalësojnë këtë proces”, tha zoti Scott për BBC-në, por nuk pranoi të japë më shumë detaje rreth pohimeve të tij.

Senatori tha se Kina “nuk do të gëzohej” nëse Shtetet e Bashkuara ose Britania do ta zhvillonin vaksinën përpara kujtdo tjetër.

Asnjë zyrtar kinez nuk i është përgjigjur akuzës së zotit Scott. Në Evropë, e cila ka pësuar humbje të mëdha në njerëz si pasojë e virusit, disa vende po rihapen ngadalë, të tjera kanë hapur kufijtë për vizitorë nga shtete evropianë. Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se shpresojnë t’i hapin të gjithë kufijtë për udhëtarët në fillim të muajit korrik./VOA