Pesëmbëdhjetë qershori është njoftuar si datë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen zyrtare të transportit publik në vend. Ky sektor, është ndër shërbimet e fundit që do të rinisë aktivitetin pas ndërprerjes nga pandemia.
Por, si do të funksionojë ky shërbim? Euronews Albania zhvilloi një bisedë me kreun e Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.
Teksa komentoi reagimet e shoqatave, të cilat një ditë më parë kërcënuan se nuk do të nisin aktivitetin pa plotësuar 6 pikat e kërkuara prej tyre, Gonxhja u shpreh se, vijojnë konsultimet me grupet e interesit që data 15 t’i gjejë shoqatat e transportit urbanë dhe interurbanë në punë.
“Kjo nuk është një çështje garancish, por këtu jemi bashkë. Jemi duke folur për shifra jo të lehta për t’u përballuar. Ne jemi më pranë se kurrë për t’u marrë vesh se në datën 15 të rinisim së bashku, që t’u shërbejmë qytetarëve”, theksoi ai.
Mes tjerash, Gonxhja zbuloi se urbanët nuk do të ofrojnë shërbim kondicioneri, por ajrosjen do ta kryejnë përmes dritareve.
Sipas tij, ky është një rekomandim që vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga strukturat e tjera shëndetësore, ku Shqipëria bazohet.
“Nëse respektohen kontratat e operatorëve, çdo katër minuta në stacion duhet të ketë mjet dhe nëse nuk do të kenë mundësi të hipin në mjet, atëherë qytetari do të marrë pas katër minutash tjetrin. Mund të lëvizet edhe me biçikleta. Ata do të jenë pa kondicionerë, por do të ajrosen me dritare, sepse i tillë është kushti që vjen nga OBSH dhe platformat e sigurisë ku ne bazohemi”, shtoi ai.
Shoqata e Transportit Qytetas paralajmëron protesta: Pa plotësimin e 4 pikave nuk ka shërbim
Ndërkohë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmërojnë protestë nesër në orën 10 tek Ministria e Infrastrukturës.
Shoqata ka përpiluar katër kërkesa për qeverinë. Ata kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë transportit publik. Më tej ata kërkojnë edhe zbritjen e TVSH në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e 6%, siç është për sektorin e turizmit.
Shoqata e Transportit kërkon edhe rimbursimin e pasagjerëve të munguar për shkak të masave të distancimit social, si dhe rimbursimin e kategorive që përfitojnë shërbim falas në burim. Sipas saj, pa plotësim të kërkesave nuk ka nisje shërbimi transporti publik.
Dje në Kuvend kryeministri Rama kishte deklaruar një seri masash për transportin publik, si njohja si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, dhe zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020, por edhe mbajtjen e çmimit të biletave në nivelin para pandemisë.