Inter përgatitet për rifillimin e sezonit, i cili do të jetë i vrullshëm, në mes të Kupës së Italisë dhe Serie A. Paralelisht, në stafin menaxhues po mendojnë për tregun e transferimeve. Sidomos Giuseppe Marotta. Drejtori i përgjithshëm zikaltër pranoi për “Gazzetta dello Sport” se ajo që lidhet me Lautaro Martinez është një temë shumë e nxehtë:
“Ai dëshiron Barcelonën? Ne do të flasim me të, duhet ta bëjmë të kuptojë që një mundësi e tillë mund të vijë përsëri në të ardhmen, kur ai të jetë më i gatshëm. Lojtari mund të presë dhe të rritet me Interin. Eshtë e vështirë të flasësh për të ardhmen e tij tani, por unë i them: qëndro i përqendruar në të tashmen, ke përpara një sezon që rifillon, ke gola për të shënuar. Lojtarët duhet të jenë protagonistë të fushës.
Nuk kemi nevojë ta shesim Lautaro. Ai është i ri, ka të ardhme dhe është një element funksional për trajnerin Conte. Pastaj, sigurisht, ekziston një klauzolë… Unë nuk e di se çfarë mendon Barcelona, ndoshta do të ketë edhe alternativa… Shpresoj të mos e paguajë dot klauzolën. Në rast të lamtumirës, një lojtar tjetër me peshë do të vijë në vend të Lautaro. Nëse qëndron Lautaro, do të mbajmë një lojtar të nivelit të lartë”.
Një lojtar që mund të arrinte në vend të argjentinasit është Edinson Cavani, edhe pse operacioni konsiderohet i ndërlikuar. Tonali dhe Chiesa janë gjithashtu dy xhevahirë italianë, që Interit gjithmonë i kanë pëlqyer. Marotta sqaron situatën: “Cavani? Është një nga mundësitë, po monitorohet si një futbollist me kontratë të mbaruar. Megjithatë, në këtë moment është mjaft larg nga Interi. Chiesa? Fiorentina ka pritshmëri të larta ekonomike, kjo është arsyeja pse sot nuk kemi filluar një tratativë me të. Kushton më shumë se 70 milionë. Tonali është më i përballueshëm, një operacion që mund të ndërtohet më mirë. Edhe ai është një djalë akoma në rritje”.
Pastaj një dashuri e vjetër si Nicolò Zaniolo, i cili mund të hynte në tregun e transferimeve zikaltër, ndoshta duke e ndërthurur atë me situatën e Nainggolan. Marotta duket se nuk ia hap dyert: “Zaniolo? Kërkon një investim shumë të lartë. Nuk ka kushte ekonomike për të përballuar operacionin. Nainggolan? Nuk duam ta zhvlerësojmë atë. Radja do të kthehet nga huazimi, pastaj do të bëjmë vlerësime. Nuk ka nxitim për të vendosur”.
Në fund, disa fjalë të Marotta për operacionin e fundit, të kryer me sukses: shitjen e Mauro Icardi te PSG. Një lëvizje që e kënaq drejtorin e Interit: “Me Icardi u veprua mirë, ishte një operacion shumë i vështirë. Ne bëmë atë që kishim planifikuar, shitjen e lojtarit pas një sezoni huazim në Paris. 50 milionë euro plus bonuse të tjera janë të pakta? Operacionet e tregut duhet të kontekstualizohen. Kjo shitje ndodhi në një periudhë e vështirë, nga pikëpamja financiare. Është e padobishme të mendojmë për dje, madje as për nesër: marrëveshja na kënaq sot. Ne kishim bërë një zgjedhje të projektuar edhe teknikisht, një vit më parë. E respektuam atë zgjedhje tani”.