Nuk është aq e qartë, që Paulo Dybala do të mbetet te Juventusi në planin afatgjatë. Argjentinasi, që ka kontratë me bardhezinjtë deri më 2022, në fakt ka lëshuar deklarata të rëndësishme për të ardhmen e tij me fanellën e “Zonjës së Vjetër”. I intervistuar nga CNN, Dybala tha se ishte i kujdesshëm për një rinovim të afërt me Juventusin. Një deklaratë e rëndësishme për Barcelonën, një klub që iu afrua vazhdimisht atij, para se të konsolidonte pozitat në Torino.
Tani për tani, Dybala nuk sheh ndonjë zgjatje kontraktuale me Juventusin, të paktën në planet e afërta:
“Rinovimi? Tani për tani nuk ka asgjë. Unë kam edhe 1 vit e gjysmë kontratë, jo aq shumë. Megjithatë, e kuptoj situatën. Po të shohësh atë që ndodhi me koronavirusin, nuk është e lehtë për klubin. Lojtarët e tjerë kanë rinovuar… Pra, le të presim”.
Dybala është i lumtur me Juventusin, por kujdes nga surprizat: “Natyrisht që jam lojtar i këtij klubi dhe ndihem i lumtur për këtë. Njerëzit më duan shumë dhe anasjelltas. Kam një vlerësim të madh për klubin dhe njerëzit që janë këtu, kam një marrëdhënie të mirë me presidentin tim, ndaj sigurisht që do të flasim në një moment për rinovimin. Ose mbase jo, nuk e di. Në një moment mund të vijë rinovimi i mundshëm, por kjo varet nga Juventusi”.
Në të kaluarën, shpesh është folur për një kalim të tij të mundshëm te Barcelona. Dybala ka një mesazh shumë të qartë: “E vërteta është se po flasim për një klub të madh. Messi e bën Barcelonën edhe më të madhe. Do të ishte shumë mirë të luaja me të”. Por, tani ai luan për Juventusin, me shpresën se një rinovim do të jetë i mundur: “Juventusi është gjithashtu një klub i jashtëzakonshëm, i madh dhe me histori të madhe, ku luajnë kampionë të shkëlqyeshëm. Ne kemi aq shumë cilësi, sa të mund të luanim me dy ekipe. Bashkë me shokët e skuadrës, Buffon dhe Cristiano Ronaldo, e bëjmë klubin edhe më të madh”.