Për Lulzim Bashën, prioriteti më i madh i momentit duhet të jetë kthimi i besimit tek ekonomia dhe nxitja e punësimit si emergjencë kombëtare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së thotë se prioriteti i selisë blu është krijimi i lehtësirave dhe kushteve për të thithur sa më shumë investime të huaja.
Prandaj këtë të mërkurë është takuar me drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj, ku në fokus kanë qenë shqetësimet e investitorëve të huaj në Shqipëri.
“Konkurrenca e pandershme, korrupsioni, burokracia dhe informaliteti i lartë janë në krye të listës së shqetësimeve të tyre”, thotë Basha.
Kryedemokrati shprehet se i ka siguruar përfaqësuesit e FIAA-së se në qeverisjen e ardhshme thithja e investimeve të huaja do të jetë prioritet strategjik, krahas mbështetjes së biznesit e prodhimit vendas. Për ta bërë këtë paralajmëron reforma.
“Reformat që ne do të ndërmarrim do të çmontojnë konkurrencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin. Do t’i japim fund ndryshimit të papritur dhe të pakonsultuar të rregullave, duke kthyer sigurinë juridike. Politika transparente dhe afatgjatë për taksat dhe hapja e lojës duke çmontuar monopolet dhe trajtimet preferenciale do të garantojnë konkurrencë të ndershme në vend të klientelizmit korruptiv të qeverisë”, thotë Basha.
Basha tregon edhe hapat e parë që do të bëjë nëse është në krye të qeverisë.
“Taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës “Rama” mbi karburantin, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve që pengojnë konkurrencën e lirë dhe të drejtë do të jenë hapa të menjëhershëm. Shqipëria do të shohë përpara dhe prioriteti im absolut është të luftoj për të mbrojtur dhe hapur çdo vend pune të mundshëm. “Shqipëria në punë” nuk është thjesht një moto, por një platformë reale. Me planin tonë ekonomik do të sprapsim krizën “Rama” dhe do mund të hapim vende të reja pune, të fuqizojmë ekonominë dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve”, thotë Basha.