Politika Hajdari: E di marrëdhënien e ngushtë Rama-Basha, por do luftojmë për ndryshimin...

Hajdari: E di marrëdhënien e ngushtë Rama-Basha, por do luftojmë për ndryshimin e sistemit

Deputetja Rudina Hajdari ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e saj se nuk do të tërhiqet nga lufta e saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor për t’iu dhënë shqiptarëve mundësinë për të çuar në Kuvend personat që e meritojnë.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, deputetja demokrate u shpreh e bindur se do të gjendet një dakordësi për këtë çështje për ta çuar vendin përpara.

“I shpjeguam kryeministrit Rama pozicionin tonë në lidhje me kërkesat që kemi për ndryshimin e sistemit, votat e diasporës dhe të tjera çështje që i ka ngritur opozita parlamentare. Kryeministri e kupton që marrëveshja nuk i përfshin këto tema dhe nuk kanë rënë dakord për ndryshimin e sistemit. Në kërkojmë lista të hapura jo vetëm për opozitën parlamentare sepse është një çështje që është shtruar në mbarë vendin. Nuk ka shqiptar që nuk e do ndryshimin e sistemit zgjedhor. Dhe ne do të vazhdojmë me këtë betejë. E dimë shumë mirë se ndryshimi duhet të vijë në këtë vend.

Unë e di marrëdhënien e ngushtë që kryeministri Rama ka me Lulzim Bashën, e kuptoj marrëdhënien e gjatë që kanë mes njëri-tjetrit. Shqiptarët duan që të shkojë në parlament ai që e meriton. Kryeministri Rama të reflektojë, marrëveshja riktheu PD dhe LSI në sistem. Do e gjejmë dakordësinë për të ecur përpara. Kjo nuk ka lidhje me marrëveshje. Do të luftoj deri në fund”, tha deputetja demokrate.