Një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, (Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York), i studiuesve shqiptarë: Aldi Pupuleku, Denisa Baci, Erand Llanaj, Ina Mexhitaj, Irma Kuka, Julia Darragjati dhe Teuta Muhollari. pjesë e platformës dixhitale shëndetësore “HEDA ALBANIA”https://www.heda.al/: Në këtë rrëfim ekskluziv të ndarë në dy pjesë, studiuesit paraqesin konkluzionet më të fundit shkencore rreth kërcënimit global të COVID-19, fazat e zhvillimit, statistika, dukuri dhe veçori të virusit, analiza krahasuese ndërmjet vendeve të ndryshme dhe mbi të gjitha interpretime grafikësh e skeda shumë të domosdoshme për publikun në kushtet e një pandemie virale dhe mediatike. Në pjesën e dytë të raportimit, ekipi i studiuesve i “HEDA ALBANIA” do të na raportojë për luftën ndaj COVID-19 në shtete ku jetojnë e punojnë çdo ditë si Shqipëria, Italia, Spanja, Hungari dhe SHBA.
“HEDA ALBANIA” SHËNDETI NE FOKUS
HEDA (www.heda.al) është platforma online shëndetësore e cila ofron mbështetje, siguri dhe vërtetësi për të gjithë publikun duke promovuar shëndet të mirë e të sigurtë për të gjithë. Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi çeshtje shëndetësore janë qëllimi kryesor i kësaj platfome. Bashkëpunëtorët që aktualisht kontribuojnë pranë kësaj platfome janë profesionistë të fushave të ndryshme si : mjekë, farmacistë, psikologë, psikoterapeutë, doktorantë, post-doktorantë, lektorë e profesorë të angazhuar në institute kërkimore, universitete, organizata ndërkombëtare, kompani farmaceutike, akademi shkencore etj, të shpërndara në mbarë botën. Platforma HEDA Albania është e vetmja platfomë informuese shëndetësore dhe shkencore shqipfolëse e cila ju përgjigj dhe vazhdon t’i përgjigjet emergjencës botërore COVID-19. Në terma të prekshëm, ekipi Anti-COVID i krijuar enkas për të mbuluar këtë emergjencë, ka publikuar vetëm gjatë kësaj periudhe mbi 130 përmbledhje artikujsh shkencorë; 6 përditësime shkencore mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19; 10 udhëzues skematikë dhe më shumë se 20 postera me informacione të përmbledhura në një imazh. Mobilizimi i këtij grupi studiuesish ngjalli kureshtje e interes mes studiuesve të tjerë shqiptarë në mbarë botën dhe bëri që grupit tonë t’i vijnë në ndihmë dhe forca të reja.
Në cilën fazë të zhvillimit dhe të kërcënimit prej COVID-19 gjendet bota
Pandemia e COVID-19 e shkaktuar prej koronavirusit të ri SARS-CoV-2 ka prekur tashmë më shumë 7 milion njerëz nga të cilët më shumë se 400,000 kanë humbur jetën. Gjithsesi. masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni nga shumë vende në botë, bënë që situata të përmbahej disi në disa prej këtyre vendeve. Edhe pse në momentin e shkrimit të këtij botimi (7 Qershor 2020) kurba globale e vdekjeve është pjerrje për së poshtmi, ajo e infektimeve është ende duke duke manifestuar pjerrje për së sipërmi – gjë që tregon rritjen numrit të infeksioneve. Ky fakt risjell në vëmendjen tonë realitetin dhe na rikujton se virusi NUK është zhdukur, por gjendet ende mes nesh. Madje situata në disa vende situata vazhdon të jetë ende jashtë kontrollit, si p.sh. në Indi, Brazil apo ShBA. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet fakti se në vende të caktuara (si p.sh. në Iran, Arabi Saudite, etj.) me klimë të nxehtë dhe temperatura të larta (mbi 35°C) po vihet re se siutata epidemike po evoluon pavarësisht faktorëve temperaturorë që priteshin ta zbusnin. E gjitha kjo, po demonstron më së miri dhe njëherazi sfidon ‘legjendat urbane’ se situata do të përmirësohet (për shkak të rritjes së temperaturës) në vendet të cilat janë duke pritur ardhjen e stinës së verës. Studime serologjike të cilat janë kryer në vende të cilat u përballën me vdekshmëri të lartë, si: Anglia, Spanja, Italia po tregojnë se vetëm 5-9% e popullatës është e infektuar me COVID-19. Këto rezultate tregojnë se ‘imuniteti i tufës’ është praktikisht i pamundur për t’u arritur në këtë moment dhe në këto rrethana në të cilat ndodhemi. Bazuar në këto tendenca të dinamikës së pandemisë, mund të vazhdojmë të pafrikë të nënvizojmë mesazhin për të qenë të ‘KUJDESSHËM dhe VIGJILENTË’ sa më shumë të jetë e mundur. ‘Virusi nuk është zhdukur, është KËTU, mes nesh…’
Si parashikohet e ardhmja e COVID-19? A do të ketë valë të dytë apo të tretë? Cilët mund të jenë skenarët e mundshëm me të cilët do të na duhet të përballemi?
Pesë muaj pas shpërthimit të epidemisë, edhe pse njohuritë që kemi arritur të akumulojmë janë rritur me një shpejtësi të pa precedentë, ende nuk disponojmë mjaftueshëm detaje mbi sjelljen e virusit në matrica të ndryshme shëndetësore, mjedisore apo stinore. Këto informacione janë pa as më të voglin diskutim të nevojshme për të qartësuar dinamikën e pandemisë në të ardhmen. Megjithatë, mund të nxjerrim mësime duke qenë se ekzistojnë hulumtime që tregojnë se njerëzit janë prekur sezonalisht nga koronaviruse të tjera që kanë prodhuar një impakt më të lehtë në shëndetin e popullatës. Shembujt më tipik të koronaviruseve të tilla që janë në gjendje të infektojnë njeriun janë infeksionet prej koronaviruseve HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1, të cilat po njësoj si infeksioni i shkaktuar nga SARS-CoV-2 janë infeksione kryesisht asimptomatike dhe janë shkaktari më i zakonshëm i të ftohtit të zakonshëm (=ang. common cold). Duke përdorur të dhëna ekzistuese të këtyre koronaviruseve mbi sezonalitetin, imunitetin post-infeksionit apo eventeve ndër-imunitare (=imunitet i gjeneruar prej një koronavirusi që mund të mbroj nga një koronavirus tjetër) janë përdorur për të bërë hulumtime dhe parashikime (me përqasje përafruese) në lidhje me situatën që po përballemi, duke parashikuar valë të tjera pas-goditëse të infeksionit COVID-19 të cilat me shumë gjasa do të ndihen përgjatë sezonit të dimrit. Për këtë arsye, edhe ne (ekipi Anti COVID-19 i HEDA [HEalth Development for Albania]) kemi përgatitur një shkrim të shkurtër (dedikuar kësaj perspektive) me ilustrime në platformën tonë, krijuar posaçërisht për tu ardhur në ndihmë gjithë shqipfolësve në këtë situatë të jashtëzakonshme (https://www.heda.al). Më poshtë po i paraqesim edhe për ju këto 3 skenarë në një mënyrë të përmbledhur.
Këta tre skenarë paraqesin realitetet potenciale që mund të përjetojmë në muajt në vazhdim. Skenari i dytë është ai më i mundshëm, por ajo që do të përjetojmë saktësisht në valën e rradhës nuk e dimë. Pikërisht për këtë arsye, kultura jonë e të vepruarit në të ardhmen duhet të orientohet drejt parandalimit të ‘skenarëve të zinj’ dhe investimit serioz në shëndetin publik, shkencë dhe edukim në gjithë globin.
Për këtë kemi bërë një apel si ekip dhe si profesionistë shqiptarë, një apel dhe reflektim për të gjithë shoqërinë tonë shqipfolëse që përmblidhet si vijon:
Në këtë moment po futemi në një epokë tjetër të re dhe po vendosemi përpara zgjedhjes se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në skenarin hipotetik e së ardhmes i një SARS-CoV-3 i mundshëm apo një pathogjen tjetër me potencial pandemik të shfaqet- ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona. Pyetja që lind është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?
Pse bota po përjeton vështirësi në gjetjen e vaksinës?
Sfida më e madhe për nxjerrjen në qarkullim të një vaksine është koha që nevojitet për të konfirmuar nëse një vaksinë është efikase dhe e sigurtë për përdorim në njerëz. Për të arritur këtë, grupeve kërkimore shkencore ju duhen shpesh herë vite punë për të arritur zhvillimin e një vaksine, me qëllimin e vetëm shmangien e efekteve të padëshiruara mbi shëndetin e popullatës. Procesi i zhvillimit, testimit dhe liçencimit të një vaksine për përdorim të gjerë ne popullatë është i ngadaltë por i bazuar në evidenca shkencore dhe klinike pasi gabime të vogla mund të jenë me pasoja fatale për shoqërinë. Pak kontekst është shpesh herë i nevojshëm për të kuptuar realisht situatën në lidhje me vaksinat. FDA miratoi një vaksinë kundër virusit vdekjeprurës Ebola vetëm vitin e kaluar (43 vjet pas zbulimit te virusit). Shumë përpjekje janë bërë gjithashtu edhe për vaksinën kundër virusit HIV edhe pse ende nuk e kemi një të tillë në qarkullim. Mesatarisht duhen rreth 10 vjet për të zhvilluar një vaksinë. Urojmë dhe jemi optimistë që ky nuk do të jetë skenari i COVID-19. Prodhuesit e vaksinave po ‘garojnë’ për të zhvilluar vaksinën kundër SARS-CoV-2 dhe aktualisht 10 prej tyre janë në prova klinike. Një pjesë e ekspertëve të sëmundjeve infektive argumentojnë se 18 muaj për zhvillimin e një vaksine është kohë jo e mjaftueshme për të siguruar efikasitet të një vaksine përgjatë çdo hapi të krijimit të saj. Natyrshëm, ekspertët më optimistë besojnë se qindra miliona doza të vaksinës mund të jenë gati në fund të vitit 2020. Si përfundim, mund të themi se e gjithë puna e bërë nga komuniteti shkencor deri më tani është e vyer dhe për tu vlerësuar. Megjithatë mos të harrojmë që edhe nëse vaksina del në kohë dhe është efikase, historia ka treguar që shpesh grupe të caktuara shoqërore kanë penguar mbulesën vaksionre dhe kanë dëmtuar procesin e vaksinimit. Shpresojmë që kjo gjë të mos përsëritet.
Duke ju referuar të dhënave globale të numrit të vdekjeve në botë prej COVID-19, a mund të thuhet se përveçse një ankth, panik apo frikë globale e gjitha ishte një zmadhim i problemit real? A ish e gjitha një konspiracion apo një rrezik real global?
COVID-19 është një infeksion që paraqet një rrezik real për shëndetin publik në gjithë globin. Shifrat e mëdha të vdekjeve të prodhuara në një kohë të shkurtër, kolapsi i sistemeve të tëra shëndetësore, personeli shëndetësor i rraskapitur prej pagjumësisë, mbilodhjes, kolapsit mendor etj., anëtarë familjesh të ndarë prej njeri-tjetrit, kufizim i lëvizjes së lirë, pasoja psiko-sociale, kolaps i sitemeve ekonomike, njerëz që vdesin në kushtë vetmie dhe izolimi pa asnjë të dashur apo familjar pranë tyre, etj. janë arsye të mjaftueshme për të kuptuar lehtësisht magnitudën e kësaj pandemie. Pandemia e COVID-19 është një problem real i faktuar shkencërisht (por jo vetëm) që ende vazhdon të përbëjë një rrezik global.
Teoritë konspirative që kane qarkulluar në portale të ndryshme gjatë kësaj periudhe kanë krijuar shpesh mosbesim tek shkenca. Diseminimi i informacionit shkencor gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësor. Nëpërmjet dhënies së informacionit te saktë duhet te luftojmë teoritë anti-shkencore, pasi janë te dëmshme po aq sa vetë virusi. Nje shoqëri e mirëinformuar dhe e përgjegjshme është thelbësore ne fazën e bashkëjetesës me virusin, siç është ajo aktuale.