Kryesore Shifra rekord, 44 raste të reja me Covid-19, rritet numri i viktimave

Shifra rekord, 44 raste të reja me Covid-19, rritet numri i viktimave

Numri i rasteve me COVID-19 vijon të rritet çdo ditë në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë në komunikimin e përditshëm tha se në 24 orët e fundit janë testuar 291 raste të dyshuara, prej të cilëve 44 kanë rezultuar pozitivë.

Një 59-vjeçar nga Lushnja ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv duke e çuar numrin total të viktimave në 35.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59-vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeç ari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit”, tha Cami.

Drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami tha se rastet e reja janë konfirmuar 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz dhe Shkodër, 2 raste në Lushnjë, 1 rast në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

Prej tyre 9 të infektuar janë personel shëndetësor. Sa i përket të shëruarve shifra i ka kaluar 1 000 pasi gjatë ditës së fundit janë shëruar 21 qytetarë. Rritje të numrit ka edhe në shtrimet në spital. Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ku 8 prej tyre janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, thuhej në njoftimin e sotëm.