Ai është Dario Toska, i cili për të dytën herë brenda një cikli shkollor është nderuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me medaljen më të lartë për arritje akademike. Dario u nderua me medaljen e artë të ekselencës, të programit “President’s Outstanding Education Award”.
Kjo medalje jepet dy herë gjatë arsimit të ciklit 8-vjeçar për nxënësit e shkëlqyer, në përfundim të klasës së pestë dhe asaj të tetë. Dario sapo përfundoi me rezultate të shkëlqyera klasën e 8- të të shkollës amerikane Garmisch Elementary/Middle School në Gjermani, pjesë e sistemit të shkollave amerikane në Europë.
Dario Toska, bashkë me prindërit e tij, provuan këto ditë një tjetër gëzim të veçantë. Që nga klasa e parë e deri me përfundimin e klasës së tetë, ai ka pasur vetëm rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur çdo vit si nxënësi më i mirë i shkollës.
Edhe në vitin 2017, me mbarimin e klasës së pestë, Dario u vlerësua me këtë medalje. Presidenti Trump do t’i akordonte për të dytën herë medaljen e artë të ekselencës, një rast ky i rrallë. Dario është djali i Valbona Zenelit dhe Igli Toskës.
Dario ka shkëlqyer jo vetëm në mësime. Gjatë këtyre viteve, ai ka qenë fitues i disa olimpiadave e konkurseve në matematikë, histori, letërsi, Spelling Bee e të tjera dhe ka përfaqësuar shkollën e tij në olimpiada të sistemit të shkollave amerikane në Europë. Dario, megjithëse ende nuk ka mbushur 14 vjeç, zotëron disa gjuhë të huaja dhe pasioni i tij i madh është leximi.
Pa bërë asnjë ditë mësim në gjuhën shqipe, ka lexuar të gjithë veprën e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Dario ka pasion sportin dhe artin, sidomos pikturën. Para disa vitesh u prezantua në një libër së bashku me të ëmën e tij, Valbonën, ku me një mjeshtëri kishte skicuar pikturat e shkrimeve ekonomike dhe politike.
Me rezultatet e larta të arritura në mësime, duke u vlerësuar dy herë me medaljen e artë të ekselencës nga Presidenti Trump, Dario Toska ka bërë krenarë jo vetëm prindërit Valbona dhe Igli, por të gjithë shqiptarët ndihen po kaq krenarë me djaloshin aq të ditur, të kultivuar e të edukuar.