Kulturë “Është racist”! HBO MAX heq nga transmetimi filmin “Gone with the Wind”

“Është racist”! HBO MAX heq nga transmetimi filmin “Gone with the Wind”

Vivien Leigh dhe Hattie McDaniel, të dyja fituan nga një ‘Oscar” për punën e tyre në film

HBO Max e ka vlerësuar filmin “Gone With the Wind” si racist dhe e ka tërhequr atë nga shërbimi i tij. HBO Max tha që filmi i vitit 1939 ishte “një produkt i kohës së tij” dhe përshkruan “paragjykime etnike dhe racore që ishin gabim atëherë dhe janë të gabuar sot”.

Javët e fundit, ndërsa protestuesit me pankartat “Black Lives Matters” mbushnin rrugët, shpesh thuhej se “racizmi është një virus”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shërbimi i ri i transmetimit HBO Max sapo gjeti kurimin. Dhe kjo është të mos transmetojë më filmin që ka fituar 10 çmime të Akademisë. Ironikisht këtu përfshihet edhe çmimi i parë për një afro-amerikane, Hattie McDaniel, për Aktoren më të mire në një rol dytësor.

Ky film i cili është i bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Margaret Mitchell, konsiderohet gjerësisht si një nga filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Mëkati i pafalshëm i filmit, është se ngjarjet zhvillohen në Jugun amerikan gjatë Luftës Civile dhe i përshkruan skllevërit me ngjyrë si një bandë e lumtur, e trajtuar mirë dhe që i adhuronte pronarët e tyre të bardhë.