Politika Saimir Tahiri: E kam bërë detyrën si ministër më mirë se këta...

Saimir Tahiri: E kam bërë detyrën si ministër më mirë se këta që janë

Vendimi i Gjykatës së Apelit ndaj ish-ministrit Saimir Tahirit do të jepet më datë 24 Qershor. Pas një seance maratonë që nisi në orën 10:00, Saimir Tahiri dhe Prokuroria paraqitën faktet e tyre.

Ish-ministri kërkon pafajësi nga dënimi për shpërdorim detyre, ndërsa organi i akuzës kërkon që Tahiri të shpallet fajtor për trafik droge në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në përfundim të seancës, Tahiri tha për gazetarët se palët qëndruan në të njëjtat llogore.

“S’besoj se ia vlen të zgjatem. Ne folëm, tani do flasë gjykata. Nuk ia vlen as të zgjatem. Kursejani dhe njerëzve gjithë këtë historinë komike të këtij gjyqi tim se është bërë qesharake. Ata të njëjtën gjë, ne të njëjtën gjë”.

I pyetur nëse do të kthehet në politikë ndërsa afrojnë zgjedhjet parlamentare, ish-deputeti socialist u përgjigj: “Saimir Tahiri s’ka ikur. Kjo historia e politikës nuk më tundon, siç nuk më ka tunduar në momentin që ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë”.

Pavarësisht vendimit që do të jepe pas rreth 2 javësh, Saimir Tahiri u shpreh i bindur në pafajësinë e tij kur tha se detyrën si ministër i Brendshëm e ka ushtruar duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën. Madje, shtoi se ka punuar edhe më mirë se ministrat para tij, por edhe ata që morën detyrën pas tij.

“Nuk ka shumë rëndësi për mua nëse kjo drejtësi do më vijë nga gjykata. Rëndësi ka që para çdo qytetari jam super i bindur që kam bërë në çdo hap të punës time gjënë e duhur. E kam bërë detyrën më mirë se kushdo tjetër, nga ata që ishin dhe nga këta që janë”.

Megjithatë, ish-ministri i Brendshëm shtoi se vendimin e gjykatës do ta pranojë cilidoqoftë ai.

“Do ta pranoj pa asnjë diskutim. Sa të drejtë do ta quaj, do të shoh raportin dhe do të flas”.