Kryesore Mjeku Alimehmeti: Tre faktorët që sollën rritjen e rasteve me COVID-19

Mjeku Alimehmeti: Tre faktorët që sollën rritjen e rasteve me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar 44 raste të reja, ndërsa mëngjesin e sotëm ka humbur jetën edhe një 59-vjeçar nga Lushnja.

Mjeku Ilir Alimehmeti tha për Ilva Now, në Euronews Albania se shifrat e larta të ditëve të fundit nuk do të thonë domosdoshmërish izolim, ashtu siç paralajmëroi në një lidhje live në Facebook kryeministri Edi Rama, vendim të cilin siç tha, janë njerëz të tjerë që duhet ta marrin.

Sipas tij, numri në rritje gjatë ditëve të fundit të rasteve me COVID-19 në vendin tonë lidhen me tre faktorë.

“Për sa i përket numrave në rritje kemi tre elementë që duhen marrë në konsideratë; efekti i kërkimit të shtuar, kemi bërë 1 mijë teste në 3 ditë, 359 teste në një ditë që është rekord për vendin tonë.

Kjo është një pjesë e shpjegimit. Është efekti ‘rebound’; mbasi hapen masat disa raste pritet të gjenden dhe këto janë në përpjesëtim të drejtë me sa të forta kanë qenë masat izoluese, ndaj duhet eleganca në vendimin e duhur, në kohëzgjatjen e duhur. Elementi i tretë është vatra spitalore, që s’ka lidhje fare me lirimin e masave”, tha mjeku Alimehmeti.

Duke iu referuar vatrës në QSUT, Alimehmeti kërkoi që të tregohej më shumë kujdes në drejtim të këtij spital, që është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë dhe ku shtrohen pacientë me problematika të shumta, çka do ta bënte edhe më të vështirë për ta në momentin që aty qarkullon edhe një virus vdekjeprurës.

Ai rekomandoi që së paku t’iu bëhej tamponi të gjithë pacientëve që shtrohen në mënyrë të planifikuar në këtë spital dhe testi tampon çdo dy javë për mjekët dhe gjithë personelin mjekësor.