Aktualitet Shoqatat e transportit refuzojnë të rinisin shërbimin

Shoqatat e transportit refuzojnë të rinisin shërbimin

Shoqatat e Transportit Publik kanë marrë një vendim dhe nga 15 Qershori, kur është dhënë urdhri që ato të rifillojnë shërbimin, do të refuzojnë që të dalin në punë. Kjo për shkak të vështirësive financiare me të cilat duhet të përballen.

Përmes një komunikimi me mediat, përfaqësues të shoqatës thanë se është e pamundur që të zbatohet protokolli i sigurisë, ku thuhej se në autobus do duhej që të qëndronin vetëm 70% e kapacitetit.

Sipas tyre, përveçse protokollin nuk e kanë marrë në mënyrë zyrtare, me këtë shifër nuk respektohet as distanca prej 1.5 metrash. Ata u shprehën se janë të gatshëm të nisin punë, por me situatën aktuale dhe kushtet që janë vendosur nuk e përballojnë financiarisht.

Në këtë mënyrë të hënën nuk do të nisë punën transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas. Shoqatat përcollën edhe njëherë kërkesat e tyre.

“Në pamundësi të udhëtimit falas është propozuar katër pika që i kemi publikuar siç është subvencionimi i të ardhurave të munguara për mjetet transportuese si pasojë e kufizimeve nga protokolli i sigurisë. Heqja e akcizës dhe taksës së karburantit siç është zbatuar edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Zbritja e TVSH-së në shitje, nga 20% në 0 për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% siç vijon sektori i hoteleri turizmit si dhe rimbursimi në burim i kategorive të personave që e përfitojnë transportin sot pa pagesë. Vetëm me këto lehtësira mundësohet kryerja e shërbimit të transportit sipas protokollit të publikuar”.