Nga Gjon Ndreja
Përpara më shumë se dhjetë vjet, nëpërmjet një shkrimi me titull “Përgjegjshmëria publike dhe përgjegjësia materiale” botuar në gazetën “Shqip”, pata hedhur idenë e hartimit të një ligji për përgjegjësinë materiale të nëpunësve publikë për dëmet që ata shkaktojnë gjatë punës. Kjo për shkak se çuditërisht, sipas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë me Nr.1354, datë 6.10.2005, në kundërshtim me praktikën e gjithë vendeve të botës, instituti i përgjegjësisë materiale në Shqipëri është suprimuar dhe është shkrirë me përgjegjësinë civile. Prej asaj kohe e deri më sot ka pasur shumë përpjekje për ta rivendosur këtë institut në kornizat e një ligji. Për vite me radhë kreu aktual i KLSH-së, krahas raportimit për qindra milionë euro dëme, shkelje e parregullsi të shkaktuara buxhetit të shtetit nga zyrtarët publikë të të gjitha niveleve, ka përsëritur edhe kërkesën për hartimin e ligjit për përgjegjësinë materiale, duke i rekomanduar dhe argumentuar qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë domosdoshmërinë e hartimit të këtij ligji. E prej këtej, normalisht çdo qytetari taksapagues i këtij vendi i lind pyetja, në se këto dëme e shkelje, janë kthyer në buxhet apo kanë mbetur akoma në xhepat e atyre që i kanë shkaktuar, pyetje e cila ashtu si edhe kërkesa për hartimin e ligjit kanë mbetur pa përgjigje….
Përgjegjësia civile versus përgjegjësia materiale
“Argumenti” i përdorur nga disa teoricienë të së drejtës , se dispozitat e Kodit Civil i japin zgjidhje problemit të përgjegjësisë materiale, nuk është i vërtetë dhe as përputhet me praktikat më të mira botërore. Në vijim po përpiqemi të japim qasjen e përgjegjësisë civile përballë përgjegjësisë materiale dhe disa dallime midis tyre. Përgjegjësia civile është përgjegjësi që rrjedh nga kontratat civile por edhe për dëmin jashtëkontraktor , ndërsa përgjegjësia materiale kufizohet vetëm në marrëdhëniet e punës. Përgjegjësia civile është përgjegjësi “kushdo ndaj çdokujt”, përkundrejt përgjegjësisë materiale e cila reduktohet në “punonjësi ndaj subjektit”.
Përgjegjësia civile është një përgjegjësi e plotë për dëmin e shkaktuar që nënkupton edhe fitimin e munguar, përkundrejt përgjegjësisë materiale e cila është një përgjegjësi e butë e reduktuar, që merr në konsideratë edhe kushtet vetjake të punonjësit dhe vetëm në rastet të rralla kur dëmi shkaktohet me dashje apo raste të ngjashme, presupozon zhdëmtimin e plotë dhe fitimin e munguar. Në rastin e përgjegjësisë civile kur dëmi shkaktohet bashkërisht nga shumë persona zbatohet parimi i solidaritetit , përkundër parimit të proporcionalitetit që zbatohet në rastin e përgjegjësisë materiale. Përgjegjësia e zyrtarëve dhe organeve kolegjiale për dëmet e shkaktuara nga vendimmarrjet apo sjelljet profesionale të gabuara nuk gjen zbatim në rastin e përgjegjësisë civile, ndërkohë që instituti i përgjegjësisë materiale duhet të parashikojë rastet e kësaj përgjegjësie. Kostot administrative të realizimit të përgjegjësisë materiale janë të thjeshtuara dhe sigurojnë një rimarrje më të shpejtë të vlerave materiale apo monetare të humbura. Përgjegjësia civile realizohet vetëm në rrugë gjyqësore, ndërsa përgjegjësia materiale parashikon si rrugë parësore atë administrative dhe vetëm kur nuk është e mundur atë gjyqësore.
Detyrimi për të kërkuar shpërblimin e dëmit në përgjegjësinë civile i takon të dëmtuarit, ndërsa në përgjegjësinë materiale është dëmtuesi, ai që i drejtohet gjykatës në se zgjidhja administrative, konsiderohet jo e drejtë prej tij. Si konkluzion mund të themi se avantazhet e krijimit të institutit të përgjegjësisë materiale nëpërmjet një ligji janë të dukshme dhe sigurojnë një rikuperim të shpejtë të pasurisë publike të dëmtuar, si dhe pakësojnë dukshëm volumin e punës së gjykatave.
Subjektet e përgjegjësisë materiale
Shumë vende të Europës e kanë të inkorporuar konceptin e përgjegjësisë materiale në Ligjin e Punës, ndërkohë që vendi ynë që nga qeveria e Ismail Qemalit , me të ashtuquajturin “Kanuni i përtashëm i administratës civile” dhe “Kanuni i përtashëm i dameve” e deri në vitin 2005, përgjegjësinë materiale e kanë trajtuar në mënyrë të veçantë. Po cilët mund të jenë subjektet e përgjegjësisë materiale në një projekt ligj të mundshëm?
Për t’i dhënë një zgjidhje definitive këtij problemi, subjekt i këtij ligji në mënyrë të përgjithshme, duhet të jenë marrëdhëniet që lindin nga përgjegjësia e punonjësit me subjektin publik, në rastin e shkaktimit të dëmit. Ky duket një koncept shumë i përgjithshëm dhe kërkohet që ligji të bëjë përcaktime më të qarta në këtë drejtim: kështu do të na duhet të zhvillojmë më tej konceptin e përgjegjësisë materiale, të punonjësit dhe subjektit publik si tre elemente të përgjegjësisë. Sipas këndvështrimit tim me përgjegjësi materiale duhet të kuptohet shkalla në të cilën punonjësit e një subjekti publik, vlerësohet se janë përgjegjës për dëmin e shkaktuar me faj ndaj subjektit publik. Përgjegjësia materiale, është detyrimi për të kompensuar në mënyrën e format e përcaktuara në ligj, dëmin pasuror të shkaktuar me faj ndaj subjektit publik.
Ndërsa me subjekt publik kuptohen institucionet e administratës publike shqiptare, organet e qeverisjes vendore, ndërmarrjet shtetërore, shoqëritë tregtare ku shteti zotëron mbi 50 përqind të aksioneve si dhe subjektet e deleguara që kryejnë funksione publike. Për ta kompletuar më tej mekanizmin e kësaj përgjegjësie duhet ti referohemi edhe konceptin mbi punonjësin publik. Sipas konceptit të përgjegjësisë materiale , punonjës publikë janë punëtorët dhe nëpunësit e punësuar , ish të punësuar ose në çfarëdo marrëdhënie tjetër me subjektin publik si dhe çdo person apo subjekt që kryen funksione shtetërore ose funksione të deleguara. Përkufizimet e mësipërme përfshijnë marrëdhëniet aktuale të punësimit dhe ato të mëparshme, si dhe çdo marrëdhënie me subjektin publik në formën e pjesëmarrjes në këshilla, borde apo kur kryejnë funksione të deleguara dhe gjatë kësaj periudhe kanë shkaktuar dëme.
Llojet e përgjegjësisë dhe procedurat e realizimit të saj
Për shkak të dallimeve që përmendëm edhe më sipër midis përgjegjësisë civile dhe asaj materiale dhe me qëllim për të bërë të mundur realizimin e kësaj përgjegjësie është e nevojshme të klasifikohen llojet e kësaj të fundit. Në një klasifikim të përgjithshëm, mund të dallojmë këto tipe të përgjegjësisë materiale; përgjegjësinë e plotë, përgjegjësinë e kufizuar, përgjegjësinë specifike të zyrtarëve publikë nga vendimmarrjet apo sjelljet profesionale të gabuara. Sipas këndvështrimit tim përgjegjësia e plotë rrjedh nga veprimet e punonjësit të kryera me dashje në shkaktimin e dëmit dhe në kundërshtim të hapur me ligjin ose që mund të jenë rrjedhojë e përgjegjësisë penale. Të tjera raste të përgjegjësisë së plotë mund të renditim, parashkrimi i një të drejte pasurore të subjektit publik për faj të punonjësit,efektet dhe dëmet e shkaktuara nga mos zbatimi i vendimeve gjyqësore, që përfshijnë pagesat pas hyrjes në fuqi të vendimit gjyqësor të formës prerë, pagimi interesave, gjobave, penaliteteve, të çfarëdo lloji kur nuk ka një arsye të përligjur, mungesat në inventar të vlerave materiale e monetare ose mungesat e çfarëdo vlere që i është besuar në administrim punonjësit si dhe dëmi i shkaktuar subjektit publik jashtë kryerjes së funksioneve të ligjshme ose jashtë kohës së punës. Në rastet e përgjegjësisë së plotë aplikohet zhdëmtimi i gjithë vlerës së dëmit së bashku me penalitetet apo fitimin e munguar.
Përgjegjësia e kufizuar presupozon zhdëmtimin nën kufijtë e vlerës së plotë të dëmit të shkaktuar dhe aplikohet në rastet kur; dëmi është rrjedhojë e pakujdesisë, kur punonjësi ka bërë përpjekje për zvogëlimin e dëmit të shkaktuar dhe provon se ka qenë në pamundësi për të ndaluar gjithë pasojat, dëmi i shkaktuar nuk lidhet vetëm me fajin e punonjësit por edhe me përgjegjësinë e vetë subjektit publik, punonjësi nuk i kishte njohuritë e duhura tekniko profesionale etj. Përgjegjësia e kufizuar ndryshe nga përgjegjësia e plotë dhe përgjegjësia civile duhet të marrë në konsideratë edhe kushtet vetjake të punëtorit ose nëpunësit si dhe mundësinë financiare të shlyerjes së dëmit prej tij. Pavarësisht nga shuma e dëmit përgjegjësia materiale e kufizuar nuk mund të kalojë ¼ e pagës mujore të punonjësit dhe nuk mund të shtrihet për një periudhë le të themi, më tepër se pesë vjet.
Një vend të rëndësishëm në këtë projekt duhet zërë sanksionimi i përgjegjësisë materiale të zyrtarëve publikë nga vendimmarrjet apo sjelljet e gabuara profesionale dhe në një farë mënyrë mund të konsiderohet edhe si përgjegjësi indirekte. Kjo është një përgjegjësi specifike rrjedhojë e keq menaxhimit dhe duhet të aplikohet kur nuk gjen zbatim përgjegjësia e plotë apo e kufizuar. Përgjegjësia e zyrtarit publik në këtë rast duhet të aplikohet deri në nivelin e disa pagave mujore por jo më shumë se ¼ e shkeljes së verifikuar. Përgjegjësia e zyrtarëve gjen aplikim në ; vendimmarrje të gabuara të anulluara nga gjykata kompetente me vendim të formës së prerë ose nga organi administrativ më i lartë, të cilat kanë sjellë një dëm pasuror subjektit, përdorimi jo efecient i burimeve publike i konfirmuar nga strukturat e auditimit, blerja dhe krijimi i mallrave stoqe mbi nevojat e një viti pune, pagimi i penaliteteve rrjedhojë e moszbatimit të detyrimeve kontraktore, përdorimi jashtë destinacionit i mjeteve financiare, blerja e makinerive dhe e pajisjeve që nuk janë vënë në shfrytëzim brenda një afati kohor, aplikimi i gabuar i çmimeve dhe tarifave etj, të kësaj natyre.
Projekti duhet të parashikojë procedura të qarta për autoritetin e caktimit të përgjegjësisë materiale veçanërisht kur kjo është rrjedhojë e vendimmarrjeve kolegjiale apo përgjegjësi e titullarëve të institucioneve publike. Këtu mendojmë se një rol më aktiv duhet të ketë avokatura e shtetit. Ligji duhet të garantojë një proces shqyrtimi të ndershëm dhe të sanksionojë të drejtën e punonjësit , për t’u njoftuar lidhur me fillimin e procedimit për caktimin e përgjegjësisë materiale, për t’u informuar lidhur me dëmin faktik të pretenduar dhe provat në ngarkim të tij, të drejtën për t’u dëgjuar, për të paraqitur prova shtesë, për mbrojtje juridike dhe të drejtën për t’u asistuar nga një avokat, këshillues ligjor ose një përfaqësues i sindikatës ku bën pjesë, si dhe të drejtën për t’u ankuar ndaj vendimit përfundimtar të titullarit të subjektit publik. Për të mbrojtur vendimmarrjet abuzive të titullarëve apo të bordeve projekti duhet të parashikojë të drejtën e ankimit në gjykatë të Avokaturës së shtetit apo Kontrollit të Lartë Shtetit si palë të interesuara, ndaj vendimeve të autoriteteve q ë kanë caktuar përgjegjësinë.,
Hartimi i një ligji të tillë do të kishte efekte parandaluese në përdorimin abuziv të burimeve publike, do të forconte përgjegjësinë e punonjësve ndaj detyrës dhe do të kufizonte dukshëm arbitraritetin menaxherëve i cili është bukur prezent në mjediset tona.