Bota Koronavirusi në Itali: 393 raste të reja, 70% në Lombardi

Koronavirusi në Itali: 393 raste të reja, 70% në Lombardi

Emergjencat Civile në Itali bëjnë me dije se 56 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin total në mbi 34 mijë.

Gjatë ditës së fundit një rritje të madhe ka pësuar numri i personave të rinj të prekur, ku 393 të tjerë janë infektuar me Covid-19, pjesa më e madhe e të cilëve në Lombardi.

Autoritetet shëndetësore nuk përjashtojnë mundësinë e një vale të dytë infeksioni nga Covid-19, por theksojnë se janë të gatshëm ta përballojnë. Pavarësisht këtij rreziku, Italia do të vazhdojë me planin e saj për rihapjen graduale të ekonomisë së vendit.

Në fazën e tretë do të kthehen në aktivitet kinematë, duke filluar nga 15 qershori, por me norma të rrepta sigurie. Ndërkohë, drejtësia vijon hetimet ndaj qeverisë për menaxhimin e emergjencës shëndetësore. Për 3 orë, prokuroria e Bergamos ka marrë në pyetje kryeministrin, Giuseppe Conte, lidhur me mos përcaktimin si zona të kuqe të Nembros dhe Alzano Lombardos.

Ata dëshirojnë të kuptojnë nëse i takonte qeverisë apo rajoneve shpallja e zonave të kuqe dhe nëse ka përgjegjësi penale për këtë. Conte tha pas marrjes në pyetje se informoi prokurorët në detaje dhe se ka vepruar gjithmonë bazuar në këshillat e shkencëtarëve dhe ekspertëve të fushës si dhe me ndërgjegje.