Një 34-vjeçare ka humbur jetën në Itali pas një aksidenti. Mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për Fatma Coren, e cila humbi jetën të enjten në një incident tragjik në Poggio Rusco, një provincë e Mantovë.
Mësohet se e reja shqiptare udhëtonte me një furgon, i cili u përplas me një pemë. Goditja ka qenë fatale për Fatmën, e cila ka qenë ulur në sediljen e pasagjerit.
Në drejtimin e mjetit, ishte një 64-vjeçar i cili nuk ka pësuar asnjë dëmtim të rëndë. Paraprakisht dyshohet se ai ka humbur kontrollin e mjetit. Pasi ka dalë nga rruga është përplasur me një pemë. Por përplasja ka qenë shumë e fortë për shqiptaren.
Sipas të dhënave, furgoni shërbente për të transportuar rroba. Policia ka nisur një hetim për këtë ngjarje, në mënyrë që të zbulojë rrethanat dhe shkaqet e plota që i morën jetën të resë shqiptare.
Ndërkohë ky lajm ka tronditur komunitetin ku Fatma Core jetonte. Në rrjetet sociale kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimit nga miqtë dhe njerëzit që e njihnin nga afër.
“Më duket e pamundur. Nuk mundem ta besoj. Dua të të kujtoj gjithnjë kështu të buzëqeshur. Do të ketë përgjithmonë një boshllëk në zemrat tona. Kujdesu për ne nga lart”, shkruante një mikeshë e saj.