Kryesore Detaje nga atentati mafioz tek ‘Komuna e Parisit’, si arritën hetuesit tek...

Detaje nga atentati mafioz tek ‘Komuna e Parisit’, si arritën hetuesit tek Viktor Marku

Pista kryesore në të cilën po hetohet për identifikimin e autorëve të vrasjes se Hekuran Billës është ajo e hakmarrjes. Krimi i kryer prej tij në Angli në vitin 2006, ku vrau me armë zjarri në një lokal 22-vjeçarin Prel Marku dhe plagosi tre shqiptarë të tjerë, ka ngritur dyshime të forta për një përfshirje të mundshme të rrethit të ngushtë familjar të viktimave.

Por, teksa kanë shkuar në Kukës për të marrë në pyetje vëllanë e Prel Markut, Viktor Marku, punonjësit e policisë nuk e kanë gjetur në banesë. Për këtë shkak, ai është shpallur në kërkim policor, për llogari të hetimit të vrasjes së Hekuran Billës. Burime pranë grupit hetimor konfirmuan se emri i Prelës i është përcjellë edhe pikë-kalimeve kufitare për ta ndaluar në rast përpjekjeje për të dalë jashtë vendit.

Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje disa persona të tjerë, të afërm të personave të plagosur në Angli nga Hekuran Billa, në të njëjtën ngjarje, ku u vra 22-vjeçari Marku.

Nga ana tjetër, hetuesit janë duke analizuar pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja, për të identifikuar personat që kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Billës. Përmes këqyrjes së pamjeve, oficerët e policisë gjyqësore kanë rindërtuar në detaje dinamikën e ngjarjes, si edhe rrugën e ndjekur nga autorë për largim nga vendi i krimit.