Kryesore Tjetër rekord rastesh nga koronavirusi në Shqipëri

Tjetër rekord rastesh nga koronavirusi në Shqipëri

Vendi ynë shënon një tjetër rekord të rasteve me Covid-19. Gjatë 24 orëve te fundit, epidemiologët kanë evidentuar 48 raste. Disa janë vatra të reja infeksioni, të cilat kanë zgjeruar edhe hartën e pandemisë. Numrin më të lartë e mban Tirana.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive, 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan, kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka shumë të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz”.

Rritje ka pësuar edhe numri i pacientëve të shtruar në spital.

“Vijon të ketë shtrime të reja në Spitalin Infektiv. Aktualisht në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar”.

Shumica e te infektuarve aktivë janë në Tiranë, Shkodër e Krujë.

“Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me Covid-19”.

Shqipëria numëron 1464 të infektuar nga nisja e pandemisë, por më shumë se 70% e të prekurve janë shëruar. Autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë e mbylljes së vendit nëse infeksionet do të vijojnë të rriten.