Rafiki, një nga gorillat më të famshëm kurriz-argjendtë të Afrikës është vrarë së fundmi në Uganda, duke shkaktuar zemërim të gjerë në komunitetet vendase.
Sipas raportimeve katër njerëz janë arrestuar për ngjarjen dhe përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë për vrasjen e një gorille, specie e rrezikuar.
Hetimet zbuluan se Rafiki ishte vrarë me një objekt të mprehtë që kishte depërtuar në organet e tij. Autoriteti i botës së egër në Uganda tha se vdekja e Rafikit ishte një goditje e rëndë pasi nga specia e tij kanë mbetur më pak se 1000 ekzemplarë.
Gorilla kurriz-argjendtë 25-vjeçar ishte udhëheqësi i një grupi prej 17 gorillash mali dhe vdekja e tij e lë grupin në kaos, me shanse të mëdha për t’u shpërbërë.
Specia e gorillave të malit jeton vetëm në zona të mbrojtura të Ugandës, Ruandas dhe Republikës Demokratike të Kongos, e klasifikuar si e rrezikuar.
Pas vdekjes së papritur të Rafikit, nuk dihet se cili do të marrë kryesimin e grupit të tij apo nëse do të vazhdojë të ekzistojë.