Një gjykatë ruse dënoi me 16 vjet heqje lirie një amerikan nën akuzat për spiunazh, një dënim që ai e cilësoi si politik.
Gjykata e qytetit Moskë shpalli të hënën dënimin për Paul Whelan nën akuzat për spiunazh dhe e dënoi atë me 16 vjet heqje lirie në një burg të sigurisë maksimale.
Paul Whelan ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke thënë se procesi ndaj tij ishte “i montuar”. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e dënoi procesin gjyqësor ndaj Whelan si të padrejtë, duke theksuar se nuk është siguruar asnjë provë.
Ambasadori amerikan në federatën Ruse, John J. Sullivan u tha gazetarëve jashtë gjykatës se ishte i “zemëruar” nga vendimi.
“Ai u dënua me 16 vjet pa asnjë prove. Nuk kishte asnjë provë të paraqitur nga gjykatësi që arsyetonte masën e paraburgimit së cilës ai i është i nënshtruar për një vit e gjysmë”, tha ambasadori Sullivan, duke i përshkruar procedurat gjyqësore si një “tallje me drejtësinë”.
Vëllai i Paul Whelan, Davidi tha se avokatët do të apelojnë vendimin që ai e cilësoi si politik. “Ne kishim shpresuar se gjykata mund të tregojë njëfarë pavarësie, por, në fund të fundit, gjykatësit rusë janë subjekte politike, jo juridike. I kërkojmë qeverisë amerikane që menjëherë të ndërmarrë hapa për ta sjellë Paulin në shtëpi”, tha ai.
Paul Whelan, një ish-marins i cili punonte si drejtor për Sigurinë Globale në kompaninë e furnizimit me pjesë makinash me bazë në SHBA, BorgWarner, u arrestua në dhjetor të vitit 2018, pasi pranoi të merrte nga një i njohur një usb, ku kishte menduar se ndodheshin foto nga pushimet. Autoritetet ruse thonë se në usb ndodheshin materiale të klasifikuara.