Sport Rrëfehet Modric: E imagjinoja veten lojtar të Milanit, CR7 një lojtar dhe...

Rrëfehet Modric: E imagjinoja veten lojtar të Milanit, CR7 një lojtar dhe njeri i madh

Në një intervistën të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, me rastin e publikimit të autobiografisë së tij në Itali, Luka Modric flet për marrëdhëniet me Italinë. Duke u nisur nga simpatia që Modric ka pasur gjithmonë për Milanin, një klub që disa vite më parë, megjithatë, dukej shumë afër blerjes së tij: “Boban ishte idhulli imi. Babai, kur isha i vogël, më bleu një uniformë të tij kuqezi. Unë imagjinoja të bëhesha futbollist i Milanit, por karriera shkoi ndryshe…

Kur të arrish te Reali është e vështirë të mendosh për diku tjetër. Nëse gjërat nuk do të kishin shkuar mirë në Madrid, sigurisht që do ta kisha parë veten në Serie A. Por, Real Madridi ka qenë gjithmonë përparësia ime dhe e çdokujt tjetër. Dëshiroj ta përfundoj karrierën time te Reali, por kjo do të varet edhe nga klubi. Unë e shikoj rregullisht dhe më vjen keq për Milanin. Realisht, Milani i vërtetë i mungon Italisë dhe Europës”.

Duke shprehur dëshirën për ta mbyllur karrierën me “Los Blancos”, me pak fjalë, Luka Modric nuk e ka në mendje një eksperiencë në Serie A, ku sipas “regjisorit” të Real Madridit, një ylli si Zaniolo po shkëlqen: “Gjithmonë më kanë pëlqyer lojtarët e stilit të Totti, Del Piero, Pirlo. Tani ka të rinj që premtojnë shumë, Zaniolo mbi të gjithë, talent i pastër. Sensi është gjithashtu shumë interesant. Pastaj më pëlqejnë Insigne, Papu Gomez, Ribery dhe Bennacer”.

Natyrisht, nuk mund të mungonte pyetja për penalltinë e shumëdiskutuar në ndeshjen Real Madrid-Juventus, që zemëroi Buffon dhe sanksionoi eleminimin e bardhezinjve nga Champions-i: “Personalisht thashë vetëm se kishte një penallti për mua. Lucas Vazquez u shty, çfarë kuptimi do të kishte simulimi? Unë kam jetuar situata të ngjashme dhe e kuptoj protestën e bardhezinjve, por nuk duhet të ketë dallim midis një penalltie në minutën e 30-të dhe të 95-të. Megjithatë, Buffont i uroj më të mirat. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm”.

Në intervistën e gjatë për “Gazzetta dello Sport”, nënkampioni i botës, Modric, gjithashtu, ka fjalë shumë të ëmbla për ish-shokun e skuadrës, Cristiano Ronaldo, tani ylli i Juventusit: “Te Real Madridi, që prej ikjes së tij kemi humbur golat dhe karakterin. Cristiano gjithmonë dëshiron të fitojë, ai na motivonte dhe na bënte të reagojmë. Ai ka një zemër të madhe, është gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë ata që kanë nevojë”.

Më në fund, ish-“Topi i Artë” kurorëzon Kylian Mbappé si “mbretin” e së ardhmes në futboll. Megjithatë, i rekomandon yllit francez largimin nga PSG dhe Ligue 1: “Mbappé ka gjithçka për të dominuar skenën e futbollit botëror, por unë mendoj se për të bërë kapërcimin cilësor duhet të shkojë në një kampionat, ku skuadra e tij nuk fiton aq lehtë. Unë shoh potencial të madh edhe te Vinicius, më pëlqejnë De Bruyne dhe Sterling”.