Pas gati dy dekadash në elitën e futbollit botëror dhe në moshën 35 vjeç, ka mbërritur transformimi i Cristiano Ronaldos. “Rikrijuesi” i tij nuk është askush tjetër, përveç Maurizio Sarri, trajneri i Juventusit, i cili të premten vendosi ta aktivizonte portugezin si një sulmues të pastër. Ylli nga Madeira luajti si “9” në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, kundër Milanit, i mbështetur nga Douglas Costa dhe Dybala.
Mediat sigurojnë se ky vendim për të lëvizur Cristiano Ronaldon në fushë është një strategji e trajnerit të Juves për të forcuar mbrojtjen. Kjo ide ka qenë në mendjen e Sarrit që kur vendosi të bëhej trajner i bardhezinjve dhe i pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Juventusi u rikthye në fushë pas pushimit të detyruar nga kriza e COVID-19, duke aplikuar një stil të ri, të materializuar te lideri i saj, Cristiano Ronaldo.
Ky i fundit u shndërrua nga CR7 në CR9. Në raste të rralla e kishim parë atë të vepronte si një sulmues i pastër. Këtë rol nuk e ka bërë as te Manchester United dhe as në Madrid, ku e kishte vendin e tij të “prenotuar”. Do të shohim me kohën dhe kalimin e minutave nëse do të vijojë aty dhe çfarë rezultatesh mund të ketë. E qartë është se portugezi ka talent të performojë në të dyja pozicionet.