Shëndet Mjeku: Mbi 95% e shqiptarëve të rrezikuar, nuk janë prekur nga Covid-19

Mjeku: Mbi 95% e shqiptarëve të rrezikuar, nuk janë prekur nga Covid-19

Imunologu Genc Sulçebe zbuloi në A2 rezultatet e një studimi paraprak që është duke u bërë në lidhje me numrin e personave të infektuar në vendin tonë me Covid-19.

Imunologu shprehet se nga testet që u janë bërë dhuruesve të gjakut ka rezultuar se të prekurit në Shqipëri me koronavirus janë nën 5 përqind të të gjithë popullsisë. Sulçebe thekson se kjo shifër bën që mbi 95 përqind e popullatës shqiptare nuk ka krijuar antitrupa dhe është e rrezikuar.

“Popullata shqiptare pati një bllokim të theksuar dhe për këtë arsye nuk është e imunizuar ndaj këtij virusi. Ndërkohë, në vende të tjera të Evropës, apo në Amerikë, po shkohet drejt 10 përqindëshit të popullatës së imunizuar, në popullatën tonë kjo shifër është shumë e ulët. Në një studim paraprak, pilot, që ne po bëjmë me dhuruesit e gjakut, kemi parë që kjo shifër është shumë e ulët, nën 5 përqind. Mbi 95 përqind e popullatës shqiptare nuk ka krijuar antitrupa dhe është e rrezikuar, jo vetëm të përhapë virusin, por edhe të sëmuret dhe të ketë komplikacionet e parashikuara, që për fat janë të rralla, por që mund të rezultojnë të rrezikshme për jetën e individëve”, u shpreh Sulçebe.

Imunologu shprehet më tej se rritja e numrit të testeve është e rëndësishme, por kryesorja është që të zbatohen masat.

“Numri i testimeve ndihmon, pasi arrijmë të identifikojmë më shumë të infektuar. Testimi te ne po bëhet duke ndjekur udhëzimet e OBSH-së. Numri i testimeve është rritur, por edhe poziviteti është rritur, duke treguar se infeksioni po përhapet. Testimi është një mjet ndihmës, por jo kryesore. Respektimi i masave është më i rëndësishëm. Të gjitha aktivitetet gjatë kësaj vere duhet të konsiderohen si të rrezikshme, sidomos ambientet e mbyllura. Ky është një virus i rrezikshëm, pasi njerëzit e përhapin atë para se të fillojnë shenjat. Ne nuk e shohim se kush është i infektuar. Ne duhet të jemi të ndërgjegjësuar për këtë, duhet ta kthejmë në kulturë”, tha Sulçebe për A2.