Sport Michael Jordan, sportisti më i pasur i të gjitha kohërave

Michael Jordan, sportisti më i pasur i të gjitha kohërave

Michael Jordan, sipas “Forbes”, është sportisti më i pasur i të gjitha kohërave. Me një pasuri prej 2,1 miliardë dollarësh, ish-basketbollisti amerikan është në vendin e 1001 në klasifikimin e përgjithshëm të njerëzve më të pasur të planetit, por i pari mes sportistëve.

I konsideruar basketbollisti më i mirë në histori, vetëm një pjesë të vogël të pasurisë së tij e ka nga karriera sportive. Pjesën më të madhe e ka nga sponsorët dhe nga Charlotte Hornets, klubi i basketbollit që ka në pronësi me 70% të aksioneve që nga viti 2010.

Gjatë karrierës së tij, që u mbyll rreth 20 vite më parë, Michael Jordan fitoi 94 milionë dollarë nga kontratat me Chicago Bulls dhe Washington Wizards.

Fitimet më të mëdha kanë ardhur nga shitja e të drejtave të imazhit për marka si Nike, Coca-Cola, McDonalds, Chevrolet, Upper Deck, Hanes, Weathies apo Gatorade. Kontratat me to i kanë siguruar rreth 1,7 miliardë dollarë.

Si gjatë karrierës së tij, ashtu edhe pas saj, kampioni i madh i basketbollit ka ditur të menaxhojë shumë mirë të ardhurat, duke investuar në sport me blerjen e klubeve (Charlotte Hornets në basketboll dhe Miami Marlins në bejsboll) dhe duke hapur një rrjet restorantesh.