Rastet me koronavirus në botë i tejkalojnë 8 milionë, ndërsa viktimat janë gati 437 mijë sipas të dhënave të universitetit “John Hopkins”.
Shtetet e Bashkuara mbeten më të prekurat, me mbi 2 milionë e 100 mijë të infektuar dhe më shumë se 116 mijë viktima. Pason Brazili me mbi 880 mijë raste dhe gati 44 mijë humbje jetësh.
Me shqetësim po ndiqet situata në Pekin, ku ka rritje të të infektuarave me Covid-19. 40 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit, për një total prej më shumë se 100 të prekurish në 5 ditë. Janë vënë nën izolim të paktën 29 komunitete lokale rreth 2 tregjeve në kryeqytetin kinez, ku jetojnë rreth 90 mijë prej 21 milionë banorëve të Pekinit. Autoritetet lokale e përshkruajnë situatën si të rëndë dhe janë vënë në garë me kohën për të frenuar përhapjen.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Thedros Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se duhet të jenë të përgatitur për mundësinë e një rishpërthimi të pandemisë mes rihapjes së Europës dhe rasteve të reja në Kinë.
“Përgjatë 2 javëve të fundit më shumë se 100 mijë raste të reja janë raportuar gati çdo ditë. 75 për qind e tyre janë shënuar në 10 vende, dy Amerikat dhe Azinë jugore. Por po shohim gjithashtu rritje të rasteve në Afrikë, Europën lindore, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Edhe vendet që kanë arritur të frenojnë me sukses përhapjen duhet të jenë të përgatitura për një rishpërthim të pandemisë”, deklaroi kreu i OBSH.
Edhe Koreja e Jugut regjistroi 34 infektime të reja për të tretën ditë radhazi, 21 prej të cilave raste të brendshme.
Virusi u rikthye edhe në Zelandën e Re, vend i cili prej 24 ditësh nuk kishte asnjë të infektuar. Dy gra, të cilat kishin mbërritur nga Britania e Madhe për të marrë pjesë në varrimin e një të afërmi, rezultuan pozitivë me Covid-19.