Aktualitet Busti i Selam Musait në Tiranë, një reagim dhe dy fjalë falënderimi

Busti i Selam Musait në Tiranë, një reagim dhe dy fjalë falënderimi

Nga Antoneta Muçi Zeneli

Duhet të kisha reaguar më parë, por mora pak kohë sa të gëlltisja me neveri kakofoninë e lukunisë që vjellin vrer, me dhe pa arsye, duke i vënë bisht edhe kurorës me lule për të nderuar kujtimin e heronjve tanë kombëtar, midis të cilëve rri madhështor si malet e Labërisë edhe Legjenda-Selam Musa Salaria. Se për llumin e injorantëve, që nuk dinë as shkrim e as këndim, nuk dua të harxhojë asnjë një minutë kohë dhe asnjë fjalë të vetme. Sepse fjala është për njerëzit. Nuk e kanë këtë privilegj gjallesat e tjera.

Arsyeja e dytë, që më nxiti për t’u shprehur, ishte shkrimi i njeriu të letrave, i një profesori të ditur, z. Mihal Gjergji, dhe që unë e lexoj me endje, i cili ma përforcoi bindjen, të shkruaja nja dy rreshta për një moment, që më ligështoi disi. Vendosa ta bëjë, që në një farë mënyre, t’i kërkojmë të falur, nipit të Selam Musait (djali i vajzës së tij), Liço Kopaçi, i cili ndonëse jo mirë me shëndet, insistuam ne të afërmit e tij, që të ishte i pranishëm në përurim. Duke menduar, ashtu siç e ka tradita, morali, por dhe rregullat e shtetit, për aq sa dimë ne “populli”, se një i afërt i Heroit, dhe më të afërt se nipi në këtë rast nuk ka tjetër, duhet të ishte i rreshtuar atje në skenë midis njerëzve të rëndësishëm të këtij ceremoniali.

Por ata “të vegjlit”, që s’janë dhe aq të vegjël për këto punët e “prapaskenës”, e që shpina e tyre është tmerrësisht e përkulur sa nuk i lejon të shohin larg, po aq qartë, sa ç’shohin edhe lart, nuk e kishin parë të arsyeshme!?…

Kishim përgatitur dhe një kurorë lulesh për ta vendosur te shtatorja e gjyshit tonë legjendar dhe Hero i Popullit, por dhe kurora desh na ngeli në dorë, pasi ata që do të vendosnin kurora ishin përcaktuar nga radhët e zyrtarëve, shoqatave e institucioneve shtetërore. Në rregull, s’kemi asnjë vërejtje për këtë, përkundrazi i falënderojmë, por nipi i Selam Musait, pse të mos ishte midis tyre? Pse të mos kujtohej Shoqata e Veteranëve që Selam Musai ka 7 nipër e mbesa ende gjallë, e njeri prej tyre, në këtë ditë të shënuar, të ishte pjesë e përfaqësisë ceremoniale.

Të gjendur në këtë situatë, i them nipit të Selam Musait: -Hajde xhaxhi Liço, të futemi këtu pas tyre, ta vendosim dhe ne kurorën. Dhe ashtu si njerëz të shpërfillur dukshëm, pas tyre, pa na ftuar kush, e vendosëm kurorën. Në këtë moment, ai që i di mirë rregullat e zakonet, për t’na dhënë disi vlerësim, e prishi pak protokollin. Dhe këtë e bëri Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Ja kështu është për ne “popullin”, të jesh nip i Heroit të Popullit.

Kisha përgatitur dhe disa rreshta përshëndetjeje, për t’mos u gjendur të papërgatitur, në rast se do t’na kërkohej sipas zakonit që një përfaqësues nga rradhët e pasardhësve të flasë në emër të tyre. Por siç ndodhi në realitet, për këtë as që bëhej fjalë. Vetëm dy fjalë falënderimi ishin, në emër të pasardhësve të Heroit, një prej të cilëve jam dhe unë. Po ua sjell më poshtë ashtu siç i shkrova atë mëngjes të 11 qershorit.

Fjalë përshëndetëse

Unë vetëm dy fjalë zemre do të thosha, se për atë ç’ka përfaqëson figura e Selam Musait, për luftën dhe aktin e tij heroik, e ka thënë historia. Në këtë kuptim, fjalët e mia do të ishin të tepërta.

Në emër të kujtimit të gjyshes sime, bijë e Selam Musait, dhe të gjithë pasardhësve të tjerë me radhë, falënderim, mirënjohje e respekt, të gjithë atyre, që iniciuan e realizuan këtë projekt, duke i dhënë kështu një hapësirë të re ridimensioni figurës së Heroit tonë kombëtar. Jo e lehtë për t’u përmbushur, në këtë kohë rivaliteti, xhelozie e përpjekjeje për retushim të historisë.

Faleminderit Bashkisë së Tiranës, që na e solli Heroin në Kryeqytet, e bashkë me të na solli këtu Labërinë, Vlorën, luftën heroike të saj, duke i bërë të prekshme nga një numër më i madh shqiptarësh.

Shqipëria ka nevojë për heronj të këtij kalibri, dhe Selam Musai qëndron denjësisht në çdo kilometër gjeografie dhe historie të vendit tonë.

Pa insistimin, kontributin e autoritetin e birit të Salarisë, z. Gramoz Ruçi, por njëkohësisht edhe politikan i lartë i këtij vendi, nuk e di, nëse do të ishim mbledhur në këtë ceremoni përurimi. Ky është shembulli më i mirë, kur investimi politik vishet me atëdhedashuri, fisnikëri e patriotizëm.

Natyrisht vlerësimi dhe nderimi profesional shkon për skulptorin Vladimir Llakaj, që na e ka sjellë figurën e Selam Musait në një format të panjohur e patrajtuar më parë.

Respekt e mirënjohje edhe për ata zëra të vegjël në mundësinë dhe forcën e tyre, por që me shumë dashuri provokonin vazhdimisht në rrjetet sociale e biseda të rastësishme miqsh, memorien e këtij populli për figurën e Heroit.

Vendosja e shtatores së Selam Musait në Tiranë mund të ketë nxitur edhe diskutime të individëve, që mund të mos e kenë aq të qartë historinë e luftës dhe përpjekjeve patriotike të kësaj figure legjendare. Ndaj u them të iluminohen pak e pastaj të flasin. Meskinët, ziliqarët dhe gjithë kategoria e individëve që duan të vënë radhë e dominancë u them: -Po të ngriheshin nga varri ata që bënë luftën do t’na thoshin: “Turp, turp, mor evlat!”

E në fund, këtu buzë rrugës, kjo shtatore, do të jetë pikë referimi për të gjithë ne dhe do të na bëjë të kthejmë kokën me nderim e krenari.

Faleminderit të gjithëve.