Portret për djaloshin kosovar Arif Gashi, martir për lirinë e Kosovës
Nga Ndue Lazri
Pushkët kërcisnin në të katër anët. Shtëpitë e fshatit mbuloheshin nga tymi dhe një erë e athtë djegieje vinte prej shtëpive që u ishte vënë flaka nga serbët. Plumbat vërshëllenin ngado dhe mund të merrnin në çdo çast jetë të tjera njerëzish. Një kortezh i vogël mortor, që lëvizte me nxitim rrugëve të fshatit Qupev drejt varrezave, e bënte më të zymtë këtë atmosferë zie që kishte pllakosur. Varrosej një djalosh 29-vjeçar, i cili kishte vdekur në spital pas një sëmundjeje të gjatë shkaktuar prej torturave të rënda e të vazhdueshme në burg.
Ky i ri ishte Arif Gashi nga fshati Kijevë i komunës së Malishevës. Lindur në një familje të madhe atdhetare, ku ishin 3 vëllezër e 5 motra, Arifi kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në fshatin e lindjes. Babai i tij, Hajredin Gashi, i rriste e edukonte fëmijët me ndjenja atdhetare, me dashurinë për Kosovën, për Shqipërinë, për flamurin kombëtar. Djemtë e vajzat e tij u bënë njerëz me shkollë dhe punojnë në arsim e në sektorë të tjerë. Ndër fëmijët, Arifi dhe vëllai tjetër Lulëzimi ishin si më aktivë e si më të prirë drejt ideve të tilla si Kosova Republikë, Shqipëria Etnike, Bashkimi Kombëtar etj. Këto ide quheshin irredentiste dhe shkaktonin një reagim të egër e represiv tek autoritetet serbe.
Arifin e tërhiqte ajo atmosferë e zjarrtë që krijohej kur vinin ansamble artistike nga Shqipëria, me këngë që transmetonin motive patriotike me mesazhe të thella që ndiznin zemrat e të rinjve kosovarë, që e përjetonin dramën e ndarjes së Kosovës nga shteti amë, padrejtësi e ardhur si rezultat i politikës së fuqive të mëdha europiane. Këngë të tilla si “Ushton gryka e Kaçanikut” e shumë të tjera tingëllonin si himne të shpirtit luftarak shqiptar për mbrojtjen e trojeve të bashkuara dhe ndiznin zjarr zemrat e shumë të rinjve e të rejave.
Xhaxhai i Arifit, Riza Gashi, mësues e drejtor shkolle, që nga viti 1972 kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri. Ai kishte qenë edhe në fshatin Labinot të Elbasanit, ku ishte krijuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. Dhe emrin e këtij fshati Rizai ia kishte vënë njërit nga nipat e tij,pikërisht vëllait më të vogël të Arifit. Ishin gjeste simbolike e domethënëse që shprehnin se lidhjet me atdheun mëmë ishin në gjakun e kosovarëve. Labinoti sot është një njeri i përgatitur nëpër shkolla e universitete dhe është magjistër e mësues, një intelektual i vërtetë.
Atmosfera nga fundi i viteve shtatëdhjetë e në vitet tetëdhjetë po bëhej gjithnjë e më e ndezur. Lëvizja e quajtur irredentiste po merrte gjithnjë e më tepër përmasa më të mëdha dhe një fornë organizative që alarmonte qarqet serbe jo vetëm në Prishtinë, por deri në Beograd. Protestat shpërthenin aty ku nuk e prisje. Një nga ato u bë në vitin 1989 edhe në fshatin Doberdol. Kishte një pjesëmarrje të gjerë, me mbi dymijë vetë, jo vetëm nga banorët e fshatit, por të ardhur edhe nga fshatra të tjera. Vëllezërit Arif e Lulëzim Gashi kishin ardhur nga fshati Kijevë.
Policia u alarmua dhe u vu në lëvizje të menjëhershme. Demonstruesit u rrethuan nga tre rrathë policësh të armatosur dhe të egërsuar, të gatshëm për të goditur me urdhrin më të parë që do u jepej nga lart. Arif Gashi mbante lart e shpaloste flamurin kombëtar. I vëllai, Lulëzimi dhe të tjerë rreth tij hidhnin parulla të hapura me zë të lartë e i mbanin edhe në pankarta të shkruara “Kosova e pavarur”, “Shqipëri Etnike”, “Bashkim Kombëtar”, parulla kundër represionit serb e të tjera. Në një moment të caktuar policët morën urdhër dhe iu vërsulën demonstruesve per t’i shpërndarë ata. Ndër ta kishte edhe policë shqiptarë që ishin në shërbim të politikës serbe. Ashtu siç kishte edhe milicë shqiptarë që e shikonin me simpati lëvizjen dhe nuk ushtronin dhunë mbi demonstruesit. Një grup i madh agjentësh rrethuan ata që ishin pranë flamurit shqiptar. 8 policë u turrën mbi trupin e Arifit dhe e shtrinë përdhe. Me përdhunë e lidhën dhe e arrestuan bashkë me 12 të tjerë. Ndërsa Lulzimi dhe tre të tjerë arritën të çajnë rrethimin e policëve dhe u larguan nëpërmjet një përroi aty afër. I mbajtën natën të tërë në burg, nën pyetje e tortura dhe para mëngjesit 12 i lëshuan, kurse Arifin e mbyllën në qeli. Qenë arrestuar edhe disa nga ata milicë shqiptarë që nuk ushtronin dhunë. Prej aty e çuan në burgun e Prizrenit për 60 ditë. Aty takoi shokët e tij të idealit, heroin Beqir S. Gashi dhe Atom A. Krasniqin. Edhe ata mbaheshin nën tortura për idetë e tyre.
Filloi një periudhë torturash të rënda e çnjerëzore ndaj Arifit. I kërkonin të hiqte dorë nga idetë e tij, të tregonte emra të shokëve të tij organizatorë të demostratave dhe të tjerë që kishin ndikuar në formimin e ideve të tij. Por ai nuk jepej. Ishte vetëm 20 vjeç, por qëndrueshmëria e tij ia kalonte edhe një burri të pjekur. Qëllonte që gjatë torturave i humbte ndjenjat nga dhimbjet. Por asnjëherë nuk u jepej torturuesve të tij, që bëheshin çdo ditë e më të egër. E këto tortura vazhduan për dy muaj me radhë. Arifi u sëmur rëndë. E dërguan në spital, gjithnjë nën vëzhgimin e rojeve të policisë. Sa e merrte ca veten e çonin sërish në burg. Gjendja e tij shëndetësore rëndohej gjithnjë e më shumë. Personeli i spitalit e shikonte me dhimbje këtë djalosh të hekurt e zemërluan, që po tretej çdo ditë e më tepër dhe ndonëse bënin çmos ta kuronin, dhimbjet e torturave fitonin mbi çdo kurë. Ata u ruheshin syve të policëve që e shoqëronin djaloshin e paepur.
Rënia e sistemit komunist dhe shpërbërja e federatës jugosllave ngjallën shpresa e ëndrra të reja tek djaloshi. Por politika serbe ishte gjithnjë për vrasjen e këtyre ëndrrave. Ata ishin gati ta digjnin e ta zduknin popullsinë shqiptare të Kosovës, por të mos e linin atë të pavarur e të shkëputej nga Serbia. Por ëndrra e shqiptarëve për Kosovën e pavarur e republikë po merrte gjithnjë e më shumë flatra. Lëvizja bëhej gjithnjë e më e organizuar, gjersa filloi ajo luftë e vendosur nga UÇK e nga populli mbarë për ta bërë realitet ëndrrën.
Arifi dëshironte të ishte në radhët e ushtrisë çlirimtare e të luftonte me pushkë në dorë kundër serbëve që po masakronin popullsinë shqiptare, po bënin një shfarosje etnike e djegie shtëpish e fshatrash në masë. Por ishte nën kontrollin e policisë dhe forcat e tij shëndetësore po e linin çdo ditë e më tepër.
Vdiq në spital më 4 shtator të vitit 1998, kur lufta gjëmonte në tërë Kosovën. Edhe në Kijevën e tij serbët bënë raprezalje dhe në qershor 1999 dogjën mbi 60 për qind të shtëpive të fshatit. U dogj edhe shtëpia e tij. Çdo gjë u bë shkrumb, aq sa sot të afërmit e tij nuk arrijnë të gjejnë as një fotografi të këtij djaloshi, që vdiq me ëndrrën e lirisë në sy. Veç një fotografi e vjetër e plasaritur nga që mbahej e fshehur, ka arritur deri sot, e me këtë foto po ilustrojmë edhe këtë shkrim. Arifin e kishte lindur nëna për Kosovën e Kosovës ai i fali rininë e vet, ëndrrat më të bukura, gjënë më të shtrenjtë, jetën.
U varros përmes krismash në një fshat që nuk ishte i tij. Por ishte tokë e Kosovës nënë. Vetëm pas luftës, në vitin 2001, trupi i tij u zhvarros dhe i çuan eshtrat të pushojnë në fshatin e lindjes, në Kijevë.
Nuk ishte i rastit ky qëndrim i pamposhtur i këtij djaloshi të ri kosovar. Ai vinte nga një familje me tradita të hershme atdhetare. Të parët e kësaj familjeje ishin shpërngulur më shumë se 100 vjet më parë nga Toplana e Dukagjinit dhe vendosur në këto anë. Një nga të parët e kësaj familjeje ishte burri e patrioti i mençur Ramadan Shabani, babai i të cilit kishte marrë pjesë në luftën e Dibrës kundër Hajredin Pashës. Ai ishte takuar e kishte bashkëpunuar edhe me figura të tilla kombëtare si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi etj. Këshilltar dhe bashkëpunëtor i Azem Galicës edhe në momentet më të vështira e betejat më të ashpra, si ajo në Kijevë dhe në fshatrat përreth.
Ramadan Shabani shquhej për urtësinë e tij e për këtë për shumë e shumë vite ishte marrë me pleqni e pajtime dhe mbahet mend nga të gjithë për drejtësinë e tij, sepse ndante pleqni pa interes dhe dinte të mbante qëndrim konsekuent e të paanshëm si për të madhin, ashtu edhe për të voglin, si për të pasurin ashtu edhe për të varfërin. Për veprimtarinë e tij patriotike ai është dekoruar nga ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me Urdhrin e Lirisë të Klasit të parë.
Nga një familje e tillë e kishte prejardhjen Arif Gashi, ndaj edhe ai u fut në radhën e atyre martirëve që vunë jetën e tyre në themelet e Pavarësisë së Kosovës dhe të shtetit më të ri, Republika e Kosovës.