Humbja e një personaliteti të rrallë e të papërsëritshëm për dekada të tëra si Moikom Zeqo, lë pas trishtimin e thellë tek ata që e njohën. Poliedriku u shua mëngjesin e djeshëm në moshën 71- vjeçare, pas një beteje të gjatë me leuceminë akute. Të shumtë i kishte miqtë e mbi të gjitha vlerësonte ata të dijes e punës, që famën e bëmat nuk i kishin artificiale.
Ndër ta është edhe historiani Pëllumb Xhufi, që për “Panoramën” tregon bisedat e fundit me të. “Para një jave më telefonoi për të më thënë se ishte shtruar në spital. U trishtova shumë, edhe pse kishim vetëm dy ditë që ishim takuar. E ndjeva nga zëri i fikur që Moikomi nuk ishte mirë. Kishte bërë kurën e fundit të kimioterapisë, që për fat të keq, e kishte goditur rëndë”.
Sipas akademikut, në përkeqësimin e situatës ndikoi edhe mbingarkesa e spitaleve, shkaktuar prej pandemisë së Covid-19. “Kurat u bënë disi me vonesë, për shkak të bllokimit të spitalit prej koronavirusit. Ndoshta edhe prej kësaj vonese rezultoi që kura të ishte tepër e rëndë për të, duke i dëmtuar organe të brendshme”. Xhufi tregon më tej se së bashku me miq të tjerë, qenë mbledhur këto ditë për të biseduar për Moikomin, kur edhe nga bashkëshortja Lida kishin mësuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë.
“Megjithatë, ne shpresonim ta kalonte pasi pati edhe një krizë të rëndë para disa muajsh, të cilën e kaloi me një vullnet të çuditshëm”, shton ai. Studiuesi shprehet i befasuar edhe nga mënyra sesi shkrimtari e sfidoi sëmundjen përmes krijimtarisë së tij. “Nuk kam parë njeri, që në atë gjendje të punojë ditë për ditë, me një pasion të papërsëritshëm e me sigurinë e një njeriu që do jetonte edhe 100 vjet të tjerë. I tillë ishte Moikomi. Ishte një punëtor i palodhur, por edhe një njeri me kurajë dhe me shpirt të madh”.
“U LA ME PENSION MINIMAL”
Akademiku Pëllumb Xhufi sjell në vëmendje kontributin e Moikom Zeqos përgjatë viteve, përmes mendimit të tij kritik e të lirë. “Ai ka qenë prezent në mediat e shkruara dhe vizive për probleme nga më të ndryshmet. Vështirësitë e ndërtimit të demokracisë, probleme sociale, të polarizimit të shoqërisë, të konflikteve sociale, të korrupsionit politik, ekonomik etj.”. Më tej tregon momentin e vështirë për Zeqon, që duket se e ka forcuar edhe më shumë miqësinë e tyre.
“Ne kemi qenë veçanërisht afër në një periudhë të vështirë për Moikomin, përpara se të sëmurej. Ndonëse në moshë ende të re, ai u braktis nga shteti dhe u la i papunë. E lanë të papunë si qeveritë e djathta, ashtu edhe qeveritë e majta, që erdhën pas viteve 1997. Mesa duket ishte njeri i papëlqyeshëm me ndershmërinë e tij, me të qenit i hapur dhe besnik në idetë e tij. Të gjitha këto, si duket prishnin qejfin e mjediseve të caktuara politike, të cilat në njëfarë mënyre u hakmorën duke e lënë Moikomin, këtë intelektual të rrallë multidisiplinor që ishte kompetent në disa fusha, të dilte në pension para kohe, për më tepër me një pension minimal”.
SI E NJOHA MOIKOM ZEQON
Pëllumb Xhufi njihet për herë të parë nga afër me Moikom Zeqon 42 vite më parë, në Shkodër, ndërsa shoqëronte një delegacion të huaj. Asokohe, shkrimtari ishte duke përgatitur një monografi për Migjenin, i cili, siç historiani tregon, mbeti autori i tij i preferuar, të cilin e cilësonte si poetin më avanguardist modern. “Më tej, unë u njoha me faktin se Moikomi, përveç letërsisë kishte pasione të tjera në fushën e historisë, të arkeologjisë e të filozofisë. Dhe kur ai mësoi se unë njihja dhe gjuhët e vjetra, si latinishten, greqishten e vjetër për të cilën kisha studiuar, këto u bënë objekt i bisedave tona”, tregon ai.