Teksa shumë vende evropianë rihapën kufijtë ditën e hënë, të paktën 7 shtete kanë ndaluar suedezët që të hyjnë në territorin e tyre, përfshirë fqinjët si Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda. Nëse vijnë, ata do të jenë të detyruar të hyjnë në karantinë.
“Është një lloj strategjie ndëshkimi, ose ndoshta për t’u mbrojtur. Dikush mund të mendojë se suedezët kanë bërë çmenduri, sidomos në jug të vendit ku njerëzit jetojnë normalisht dhe rregullat nuk janë aq të forta. Mendoj se kjo dëmton paksa imazhin e Suedisë”, tha për AFP Alejandra Pizarro Correa, sipërmarrëse nga Suedia.
“Ndoshta nuk është çudi që disa vende nuk i duan turistët suedezë. Duket një masë e arsyeshme e marrë nga vendet e tjera që kanë qenë më strikte me rregullat dhe që mendojnë se Suedia ka qenë paksa më e relaksuar”, shprehet Tulio, një tjetër qytetar suedez me profesion mësues.
Ditën e hënë, bilanci i vdekjeve në vendin skandinav shkoi në 4 mijë e 891 njësi, ndër më të lartat në botë me 484 vdekje për 1 milion banorë.
Ta gjejë veten në një pozitë të tillë është diçka e panjohur për Suedinë, e konsideruar si vendi me reputacionin më të mirë në botë në vitet 2016, 2018 dhe 2019 dhe i vlerësuar për transparencën, sigurinë dhe sistemin shëndetësor, pa harruar kujdesin etik dhe progresin.
Por tani, qasja e Suedisë ndaj koronavirusit e ka lënë vendin të izoluar dhe shumë qytetarëve u është dashur të anulojnë pushimet e verës.