Rudina Hajdari është shfaqur e pakënaqur nga mbledhja e Këshillit Politik.
Përmes një prononcimi për mediat, ajo u shpreh se la përgjysmë takimin e Këshillit Politik për shkak se mes palëve gjatë gjithë kohës është diskutuar për tenderin që do të zhvillohet për identifikimin biometrik.
Hajdari u shpreh se nuk ka në plan të merret me pazare tenderash dhe shtoi se në Këshillin Politik palët nuk flasin për ndryshim të sistemit.
“Nuk kam ardhur të merrem me tendera, si do t’i ndajnë pazaret. E shikoj që është e pamundur të flitet për një gjë që ka të bëjë me ndryshmet që i duan sot shqiptarët. Është e trishtë që të ulemi orë pas ore dhe të flasim për gjëra pa rëndësi. Vendosa të dal nga ajo tryezë dhe të merrem me punë që janë më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë”, tha Hajdari.
Deputetja paralajmëroi se sa herë do të ketë diskutime në lidhje me tenderat do të largohet nga tryeza.