Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se të gjithë qytetarët që janë gjobitur nga autoritetet greke për shkak të kalimit të afatit të qëndrimit në Greqi do të rimbursohen nga shteti shqiptar.
Kryeministri ka shpërndarë linkun e faqes zyrtare të Tatimeve, ku këta persona që janë gjobitur të mund të aplikojnë për rimbursim.
Rama thotë se falë mirëkuptimit të qeverisë greke dhe angazhimit personal të kryeministrit Mitsotakis, shqiptarët me leje të përkohshme qëndrimi nuk u penalizuan masivisht. Megjithatë ai shprehet se janë verifikuar një numër i kufizuar rastesh, të cilat pas aplikimit do të rimbursohen.
“Si rezultat i mirëkuptimit të qeverisë greke dhe angazhimit personal të kryeministrit Mitzotakis, shqiptarët me leje të përkohshme qëndrimi nuk u penalizuan masivisht për shkeljen e pavullnetshme të afateve. Por sidoqoftë është verifikuar një numër i kufizuar rastesh kur janë vendosur gjoba dhe siç jam zotuar ato do të rimbursohen nga shteti shqiptar. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shkruan Rama në Facebook.
Në njoftimin e publikuar nga Tatimet thuhet se çdo qytetar shqiptar që është gjobitur nga autoritetet ndërkombëtare për shkak se kaluan afatin e qëndrimit prej situatës së koronavirusit duhet që të disponojnë një dokument që vërteton marrjen e gjobës, çdo dokument që vërteton kryerjen e pagesës së saj, si edhe të dhënat individuale të llogarisë bankare (të tilla si: emër banke dhe IBAN), individët duhet të dorëzojnë dhe një numër kontakti personal.
“Dokumentet e mësipërme, të përkthyera dhe noterizuara, duhet të dorëzohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet shërbimit postar (apo në kutinë postare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve)”, thuhet në njoftim.