Bota Zbulohet vatra e madhe e koronavirusit në Gjermani, qindra të infektuar në...

Zbulohet vatra e madhe e koronavirusit në Gjermani, qindra të infektuar në një thertore

Autoritetet gjermane kanë zyrtarizuar zbulimin e një vatre të madhe me të infektuar prej koronavirusit. Bëhet fjalë për një impiant përpunimi të mishit, praktikisht një thertore gjigante që ndodhet në rajonin e Vesfalisë.

Në ambientet e industrisë, ku zakonisht punojnë mbi 6 mijë punonjës, u gjetën pas testimeve të paktën 400 raste pozitive me COVID-19.

Gjermania ndalon grumbullimet e mëdha të qytetarëve

Grumbullimet e mëdha do të vazhdojnë të jenë të ndaluara në Gjermani deri në nëntor për të kufizuar çdo përhapje të koronavirusit të ri, sipas një projektmarrëveshjeje mes qeverisë federale dhe rajoneve.

“Ngjarjet e mëdha, të tilla si festivale, festa në fshat, qytet, rrugë, ngjarje për promovimin e verës, turne xhirimi apo panaire nuk do të jenë të mundura të paktën deri në nëntor”, sipas projektmarrëveshjes.

Do të jenë të autorizuara vetëm mbledhje më të kufizuara, që lejojnë distancën fizike mes pjesëmarrësve, të cilët duhet të mbajnë maskën dhe një aplikacion për gjurmimin e kontakteve.

Një distancë minimale prej 1,5 metrash do të mbetet në fuqi në hapësirën publike.

Shkollat ​​dhe qendrat ditore do të vazhdojnë rihapjen e tyre graduale, e cila duhet të përfundojë pas verës.

Ndërkohë ka korrur sukses iniciativa e aplikacionit Corona Warn, që mundëson identifikimin e rasteve, që sipas shoqërisë që e ka projektuar është shkarkuar rreth 6.5 milionë herë në Gjermani.

Gjermania numëron rreth 190 mijë të prekur nga pandemia, me 8840 viktima.