1269 – Mbreti Luigj IX i Francës shpall se të gjithë hebrenjtë që kapen në publik pa një shenjë të verdhë identifikimi do të gjobiten 10 lira argjendi. Vetë shënjat shiteshin nga qeveria; kështu qeveria përfitonte financiarisht në dy mënyra: së pari me shitjen e shenjave, dhe së dyti nga gjobat, kur shenjat nuk bliheshin ose nuk mbaheshin veshur.
1586 – Kolonistët anglezë lënë ishullin Roanoke duke dështuar për të krijuar një vendbanim të përhershëm anglez në Hemisferën Perëndimore. Roanoke ndodhet në atë që sot është shteti Virginia. Dy supozime mbi këtë emër; për nder të Mbretëreshës Elizabeth I, e cila njihej si Mbretëreshë e Virgjër; ose sipas Virginia Dare, fëmija e parë anglez lindur në Botën e re. Në fakt Roanoke është quajtur “Kolonia e humbur”.
Kolonët udhëhiqeshin nga John White, gjyshi i foshnjes Virginia Dare. Vendi ku ata zbarkuan ishte xhungël, dimri po afrohej dhe ushqimet po mbaroheshin, kështu Xhon Uajt u nis nga Roanoke për në Angli për të marrë furnizime. Ai pritej të kthehej brenda tre muajve. Por në atë kohë Anglia ndodhej në luftë me Spanjën, dhe të gjitha anijet u konfiskuan për të ndihmuar luftën; kthimi i tij u shty deri më 1590, dhe kur Xhon Uajt mbërriti në Roanoke të gjithë kolonët kishin zhdukur, vendbanimi ishte braktisur; e vetmja shenjë që ata kishin lënë ishte fjala “CROATOAN” e gdhendur në trungun e një pema. “CROATOAN” ishte emri i një ishulli në jug (sot Hatteras), ku jetonte një fis vendas. Megjithatë, stuhia e ndaloi John White të shkonte më në jug për të kërkuar për njerëzit e tij; ai u kthye në Angli dhe kurrë nuk erdhë më në Botën e Re. Në pamundësi për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi, Roanake u quajt “Koloni e Humbur”. Më vonë kur kolonë të tjerë erdhën dhe u vendosën për rreth, duke eksploruar në thellësi ata u ndeshën me njerëz që nuk ishin as të kuq (indianë) e as të racës së bardhë, por të përzier; shumë mendojnë se këta njerëz mund të kenë qenë pasardhës të kolonëve të humbur, që për të mbijetuar u përzien me fiset autoktone indiane të Amerikës.
1821 – Organizata greke Filiki Etaria pëson humbje nga osmanët në Dragasan (Vllahi). Filiki Etaria ose Shoqëria e Miqve ishte një organizatë e fshehtë (masonike) e shekullit XIX, qëllimi i së cilës ishte për të hedhur tej sundimin osman dhe për të krijuar një shtet të pavarur grek. Anëtarët e Shoqërisë ishin kryesisht të rinj grekë nga Rusia dhe nga paria vendase. Arvanitasit në atë kohë përbënin shtresën më të pasur në Greqi dhe si rrjedhim shquheshin si pjesëtarë të rëndësishëm të Filiki Etarias. Ali Pashë Tepelena, në atë periudhë në konflikt me Portën e Lartë, ishte përkrahës i Shoqërisë së Miqve. Në vitin 1818, selia e Filiki Etarias u zhvendos nga Odessa në Kostandinopojë, dhe në prill 1820, filloi përgatitjet për revoltë, duke menduar se fitorja do të arrihej lehtë ndërsa forcat osmane ishin përqendruar kundër Ali Pashë Tepelenës. Por osmanët dolën fitues si ndaj pashait edhe Shoqatës së Miqve.
1862 – Kongresi amerikan ndalon skllavërinë në territoret e Shtetet e Bashkuara. Po u deshën më shumë se dy vjet pas këtij vendimi, që skllevërit në Galveston, Teksas, më në fund do të informoheshin për lirinë e tyre. Ky përvjetor festohet ende zyrtarisht në Teksas si dita Juneteenth.
1867 – Maksimilian I i Perandorisë së Dytë meksikane u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi në Queretaro. Ai ishte vëllai i vogël i perandorit austriak Franz Joseph I. Me mbështetjen e ushtrisë franceze dhe një grupi monarkistësh meksikanë, Maksimilian shkoi nga Evropa në Meksikë, ku e shpalli veten Perandor më 10 prill 1864. Shumë qeveri të huaja, përfshi atë të Shteteve të Bashkuara, refuzuan ta njohin administratën e tij. Perandori Maksimilian konsiderohej gjerësisht një kukull e Francës. Përveç kësaj, Republika meksikane kurrë nuk u mposht plotësisht; Forcat e udhëhequra nga presidenti Benito Juarez vazhduan të jenë aktive gjatë gjithë sundimit të Maksimilianit. Me përfundimin e Luftës Civile Amerikane më 1865, Shtetet e Bashkuara filluan të jenë në gjendje për të ndihmuar më tepër forcat demokratike të Juarezit. Gjendja u bë edhe më e vështirë për Perandorin Maksimilian kur Franca tërhoqi trupat e saj në vitin 1866. Perandoria meksikane u rrëzua, Maksimilian u kap dhe u ekzekutua në vitin 1867, ndërsa gruaja e tij Charlotte (Carlota), pësoi një tronditje të madhe emocionale dhe u çmend.
1875 – Fillon rebelimi i Hercegovinës kundër Perandorisë Osmane. Kryengritësit u ndihmuan me armë dhe vullnetarë nga principatat e Malit të Zi dhe Serbisë, qeveritë e të cilave bashkarisht i shpallën luftë osmanëve një vit më vonë, më 18 qershor 1876. Ky zhvillim çoi në luftën ruso-turke (1877-1878) dhe në Krizën e madhe Lindore. Rezultat i kryengritjeve dhe luftërave ishte edhe Kongresi i Berlinit në vitin 1878, që i dha Malit të Zi dhe Serbisë pavarësinë dhe zgjerime territoriale (që u kundërshtuan nga shqiptarët me Lidhjen e tyre të Prizrenit), ndërkohë që Austro-Hungaria pushtoi Bosnjën dhe Hercegovinën, ndërsa ishte ende de jure territor osman.
1912 – Qeveria e Shteteve të Bashkuara miraton një rregull të ri për të gjithë ata që punojnë; një ditë pune 8-orëshe, pa llogaritur pushimin e drekës.
1953 – Bashkëshortët Julius dhe Ethel Rosenberg ekzekutohen në burgun Sing Sing, në Nju Jork. Në vitin 1995, qeveria amerikane lëshoi një seri kabllogramesh sovjetike me emrin e koduar “Venona”, që konfirmojnë se Julius kishte vepruar si agjent ndërlidhës dhe rekrutues për sovjetikët, por lënë të paqartë përfshirjen e gruas së tij, Ethel në këtë veprimtari. Në kujtimet e botuara pas vdekjes, Nikita Hrushovi, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik 1953-1964, shkruan “nuk mund të them në mënyrë specifike se çfarë ndihme na dha çifti Rosenberg, por kisha dëgjuar nga Stalini dhe Molotovi se Rosenbergët kishin dhënë ndihmë shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e prodhimit të bombës atomike sovjetike”.
1977 – Papa Pali VI shpall John Neumann shenjtorin e parë nga Shtetet e Bashkuara. Xhon kishte lindur në Bohemi (sot Çeki) në 1811. Ai kishte kërkuar të bëhej prift që në moshë të re, por thuhet se Bohemia kishte shumë priftërinj në atë kohë dhe peshkopi nuk kishte nevojë. Xhon u shkroi peshkopëve në të gjithë Evropën, por përgjigja ishte e njëjtë kudo; askush nuk donte më shumë priftërinj. Gjithsesi, Neumann nuk hoqi dorë nga ëndrra apo ‘thirrja e Zotit’ për t’u bërë prift. Ai filloi të mësojë anglisht duke punuar në një fabrikë me punëtorë anglisht-folës dhe pasi e mësoi gjuhën u shkroi peshkopëve në Amerikë. Së fundi, peshkopi në Nju Jork ra dakord. Kështu, John Neuman la vendin e tij dhe shkoi në Amerikë ku iu përkushtua ndihmës për të varfërit. Arriti të bëhej nga famullitar në peshkop në Filadelfia. Aftësia për të mësuar gjuhën që e kishte sjellë në Amerikë e udhëhoqi atë për të mësuar spanjisht, frëngjisht, italisht, holandisht; kështu mund të dëgjonte rrëfimet në të paktën gjashtë gjuhë, madje edhe gaelik; këtë gjuhë e mësoi aq mirë sa emigrantët nga Irlanda thonin: “Sa mirë që kemi një peshkop irlandez në Amerikë!” John Neuman vdiq më 5 janar 1860 në moshën 48-vjeçare.