Ishte thirrur nga Fox News për të komentuar librin e ish-Këshilltarit Amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.
Këtë temë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ndërlidhi me një çështje që e mban afër zemrës. Ai siguroi se shkëmbimi i territoreve nuk bën pjesë në politikën e presidentit Donald Trump, ndërsa pohoi se ky ishte një ndër problemet e shumta, që sipas tij, ka krijuar Bolton gjatë ushtrimit të detyrës në administratën amerikane.
“Do t’i kemi të dyja palët në Shtëpinë e Bardhë të shtunën e ardhshme për të folur për një lëvizje dhe marrëveshje historike. Akoma po luftoj vazhdimisht këtë thashethem për shkëmbim territoresh mes tyre. Dhe kjo nuk është politikë e Trump, por kur gërmoni thellë, të dyja palët thonë se kjo është ajo që John Bolton ka thënë”, tha Grenell.
Ndërkohë, më herët Grenell publikoi një deklaratë duke zbuluar disa detaje të asaj që Kosova dhe Serbia mund të diskutojnë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo mundësi hap derën e investimeve të reja dhe zhvillimit ekonomik. SHBA shpreson që liderët e Kosovës dhe Serbisë ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të rikthyer dialogun dhe të nisin një epokë të re prosperiteti dhe stabiliteti”, shkruan i dërguari special i Shteteve të Bashkuara në deklaratën e tij.